Poezi nga Zef Serembe
KËNGA E MALLIT TË PARË
Dëgjo, vash’, këngën e par’
që ta thot’ një djal’ bujar,
Dëgjo, vash’ këtë kangjele
q’është e butë posi dele.
Një e diel ishte pagdhirë
tërë dritë e gaz të dlirë.
Dolla jashtë e s’kish njeri,
kisha helm, jo lumturi:
E një vashëzë kërkonja
po hirplote, siç e donja.
***
Mesha e madhe, ja po biJe
e nga kisha mënt i shtije;
Dola: vashëzat po vinin.
qetë e lehtë në kishë hynin.
Asnjë vash’ s’m’u duk e mirë
e asnjëra s’m’ip dëshirë,
Dhe kjo zemër psherëtinte,
se nuk gjente kë kërkonte.
Po kjo zemër u gëzua
kur një vashëz u afrua,
Kur te sheshi ajo shkonte,
tërë sheshi dritë lëshonte.
I shkëlqenin ata sy
që nuk shihnin as njeri,
Si një fluturëz e lehtë
vej në kishë e zhdukej vetë.
***
Kur e vrejta, kur e pashë,
,,Sa e bukur”! sakaq thashë.
Që ahere s’pat pushim
ky i mjeri shpirti im.
Ditë e natë un’ e kujtonj,
natë e ditë e dëshironj;
Posi hije pas i rri,
e vështronj me dashuri,
Kur më sheh e më ve re,
ndjej të madhe një hare.
Kur dëgjoj fjalën e kthyer
të Parajsës hapen dyer;
Kur më flet e më shikon,
zemrën një shigjet’ ma shpon.
E kur vjershën ajo shtije
duket se më vjen të bije!
***
E kur gjumi pra më zë
unë në paqe s’mund të flë:
Me at sy n’ëndërr më rri,
që të fshehur kan’ magji.
Se m’do fort ajo më thotë
edhe nxjerr dy pika lotë:
E tek veshi më rrëfen
se sa mall për mua ndjen.
Asaj dorëzën ja ngas,
buz’ më buzë asaj i flas,
Edhe mezin ja shtrëngonj:
duke e puthur un’ gëzonj.
Pra si nj’ëndër vete e shkon,
po në zemër më qëndron.
Kushedi a më dëgjove,
mallin tim a e kuptove?
Kushedi tek ti a foli
malli e zemrën a ta ndolli?
Me gjith’ zemrër un’ të dua,
se fort më pëlqeve mua.
Ti me mua, vashëz, eja,
se të dua si veteja.[1]
Tok të rrojmë te ky dhe
si në zi e në hare.
Tok të rrimë në rini,
tok edhe në pleqëri.
VRULL
Zogj të bukur këndojnë me hare,
Po zemra do më plasë mua në gji.
I helmuar e shkoj jetën te ky dhe,
Mërzitem në katund, në vetmi.
Tërë shkëlqim m’hapet përpara deti
Që zgjon te trutë e mi mendime shumë,
Zëmra m’u shqerr nga tmerri mua të shkretit
Aqsa vetëm pushoj kur bie në gjumë.
Arbëri matanë detit, na kujton,
Se ne të huaj jemi te ky dhe!
Sa vjet shkuan! E zëmra nuk harron,
Që ne turku na la pa mëmëdhe.
Hakmarrja na jep shpresë e na ndriçon
Por fryn era dhe akull më zë,
Se ç’ka qënë Arbëreshi po harron:
Dhe s’i vjen turp aspak, po rri e flë.
VASHES SË LARGËT
Fati ynë është shumë i fort
Se na jep helme dhe mort,
Posi hënës, posi djellit,
Që kërkohen kot prej qjellit,
Se i shkreti fat i zbon
Edhe kurrë s’i bashkon.
Edhe i ligu mirë e di
Që është drita dashuri.
E kur fatin tim kujtoj
Derdh un’ lot e psherëtoj
Plag’ e rëndë s’hiqet dot
Që më bëre ti qëmot:
Qenë ilaçe e qenë bare
Që s’më vlejtën mua fare.
Nuk pushon ky helm i fort,
Që na jep përdita mort.
KËNGËTARI DHE BILBILI
Jam i vetëm në mesnatë
si bilbili i pafatë
Që me zënë e tij i thotë
sa mjerime ndjen dhe lotë
Trëndafiles dal nga gjembi
q’e ka zëmërën si shkëmbi
Fërshëllimet që këndon
Trëndafilja s’i dëgjon
Fërshëllimet që këndoj
i rrëmbeu mali e përroj
Edhe un’, këngtar i mjerë
vajtoj fshehtas heraherë
E këndoj e qaj si dua
e me lotët bëj një krua
Vashë, syt’ m’i përvëlove:
unë të desha, ti më zbove
Je si një tufan që shkrep
që rrëmben e rreh e shqep
Flaka jote më rrëmbeu
kurm e shpirt më dogji e preu
Shkove e zjarri që më le
më bën hi, më fut në dhe
Ahet që mjerimi i sjell
ngrijnë e larg era i shtjell.
FYTYRA E SAJ
Si vajza ime e bukur s’ka asnje
E prerë, e holl’ si kumbull, drejt më rri:
Kur ecën, shkon si zog e mbase më
Zërin e saj ngre plote harmoni.
I ndan flokët në mes e rrethas vë
Gërshetin që i shkëlqen krejt në të zi,
I feks balli që rreze zë
Si gryka e detit ne agim’n e ri.
Te zes e tërë mend e mall të thellë,
Sytë e saja shkëlqejnë më se hënë,
Në mes faqes i qesh hunda e hollë.
Ka buzët si merxhan, është faqehollë,
Dorën dhe zverkun si alabastër vënë
Edhe, kur qesh, sikur te ngre ne Qiellë.
NJË DITË ËSHTË JETA
Po vrej si Agimi, ja, nga deti ngjitet,
Dëgjoj si era mbushet me freski:
Shoh si dheu me dritë krejt stoliset
E si dielli shtie zjarr e bukuri,
Në gjithë vëndet gumëzhima shqitet,
Jeta me shpresë qesh dhe ëmbëlsi,
E hapet gazi edhe gëzimi rritet,
Largohet mjegulla ngado që ri.
Koha shkoi e mesdita na pllakosi;
Mërzimi nëpër sheshet mbretëron,
Do të thotë se koha e mirë sosi.
Mbrëmja hapë dyert e natës edhe nxin,
Gjumi gjindjen e zë dhe s’e lëshon.
Njerinë fati ashtu në varr përpin.
TE BREGU I DETIT
Atje nga bregu i detit shoh një valë
Që me oshëtimë stuhia e degdis,
Si në mal ujët ngrihet pa u ndalë
Si për të rrahur qiellin e zi pis.
Dielli mbulohet, qielli është i zënë
Nga mjegulla që dhenë e tërë fsheh:
Dhe koha e keqe krejt pas krahve le
Helmet dhe frikën që s’kanë të thënë.
Era ra dhe tufani, ja, mbaroi,
Duke qeshur në qiell dielli dolli
Dhe natyra stoliset me hare.
Mëkata paqën e vjetër dërmoi
Edhe neve një valë helmesh na solli:
Po gjaku i Krishtit dha paqën e re.
ALI TEPELENASIT
Shkrepën malet një ditë e u qé treguar
Si dielli i Shqipërisë plot me re:
U tromaks turku e mbeti i helmuar
Kur madhërinë tënde vuri re.
Krejt bota ktheu syt’ për të shikuar
Se mos në malet tona shkrep rrufé,
Se mos raca burrërore tue lëftuar
Mirr fronin që i përkiste asaj mbi dhe
Oh, sa shpresa të kota! Si u ndërrove?
Me të rrema e me gjak ndeze atë zjarr
Që dogj lirinë në tona luadhe.
Ti burra e gra gjakose e shkatërrove
Rrodhën lotët përdhe si rrëké e madhe:
Me nëmë e turp u fute ti në varr.
(Zef Serembe, Vepra 1, Rilindja, Prishtinë, 1985)
[1] Si vetvetja, si veten time.