Poezi që lidhin ngushtë realitetin me imagjinatën
Rrahim Sadiku
Stubëll 2024
Në vëllimin poetik “Palca e gurit”, Ismet Rashiti sjell një qasje poetike ndryshe ndaj realitetit që ka përjetuar personalisht, përmes vuajtjeve dhe fitoreve të popullit të tij, si dhe ndaj botës imagjinative, që e frymëzon për të nxjerrë në dritë gjithë atë që ka ndier si shpirtërore. Ai na sjell poetikën, që gërsheton brenda saj shumë ndjenjë, shumë realitet dhe shumë imagjinatë. Duke u marrë me të njohurën jo të largët, që ishte aq e bujshme, dhe me personalitete, ngjarje e dukuri të ngulitura thellë në rrjedhat tona historike, ai na e sjell ato me të panjohurën imagjinative dhe me thellësinë e saj, duke na e shpalosur ndryshe atë vërtetësi e ato shtrirje në kohë e në hapësirë. Këto të gjitha mandej i shohim të lidhura ngushtë me personalitetin e poetit, duke u përshkuar ndjeshëm dhe me vendosmëri në rrugëtimin kombëtar e njerëzor, përgjatë atyre viteve të angazhimit në qëndresën kombëtare e në formësimin e asaj kohe, duke ecur pandalshëm drejt fitores.
Vazhdojmë më tej ecjeve konkrete, sakrificave e heroizmave, që mbesin në mendjen dhe zemrën e kombit, duke u shpalosur dhembjeve, duke u forcuar plagëve, duke u shkrumbuar përleshjeve me armikun, gjithnjë duke qëndruar drejt, me veprime e ndërgjegje, duke përçuar besim dhe duke u betuar për atdhedashuri!
Këto krijime të Ismetit janë rijetësim artistik i ndodhive, ecurive, personaliteteve e synimeve, ashtu siç janë edhe gazetari poetike, e shpërfaqur fuqishëm me ndjenja e me njohje të thellë të realitetit shqiptar në përgjithësi e të atij kosovar në veçanti. Janë edhe histori poetike të besimit, të qëndresës e shpresës, të përjetuara me gjithë thellësinë e shpirtit, atyre udhëtimeve të gjata e të padukshme, për ta njohur, ndihmuar dhe formësuar ideshmërish dhe realisht kuptimin e atdheut dhe të lirisë.
Ai kuptim nis nga lashtësia e bartet shekujve, kujtesës kombëtare e njerëzore, duke e lidhur ngushtë me madhështinë dhe pathyeshmërinë e një pjese të madhe të këtij populli, nga lashtësia e deri në ditët tona, kalitur me vendosmërinë për të shkuar më tutje, fizikisht, moralisht dhe kuptimisht. Prandaj e ndiejmë thellësisht realitetin tragjik dhe heroik të popullit shqiptar, mu ashtu siç e sheh autori kur i këndon Kalasë së Artanës, si dhe ecjes dhe përballjes me të kaluarën dhe historinë e dhimbshme, siç janë ballafaqimet e shumta me të kaluarën dhe historinë e dhimbshme e krenare. Si të tillë autori na këndon për Ulpianën, të mbetur si realitet e si vizion lashtësie e ardhmërie, duke e parë të kaluarën e saj madhështore, duke na lidhur me kohën e saj të pësimeve e të dhembjeve, që sot po shndërrohen në vizione ardhmërie.
Imagjinatën dhe realitetin e shpalosur nga Ismeti e takojmë edhe gjatë këndimit të shumë ngjarjeve të qenies sonë kombëtare, sidomos të ndodhive dhe personaliteteve që trasuan rrugën e dëshmive për të kaluarën dhe të shpërfaqur fuqishëm të këtyre trojeve. Përgjatë shumë viteve, Ismeti, i ballafaquar me këto madhështi, me organizime të qëndresës e me mërgimin dërrmues, thotë:
Kosovë,
Fjalën e fundit,
Për TY e kam ruajtur:
Liri!
Dhe kjo liri vjen me qëndresën heroike të Gjergj Kastriotit, me shkrimet shqipe në të gjitha periudhat, me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, me shkollat shqipe, me mësimin shqip në Stubllën legjendare e me shumë e shumë ngjarje e ndodhi të tjera. Ai rrëfen artistikisht si lind epoka e re e heroit dhe e heroizmave shqiptare, duke shkrirë qëndresën dhe sakrificën në mbarë popullin tonë, duke e bërë simbol idealin e lirisë dhe luftëtarët e rënë në luftën e gjatë e të mundimshme për të arritur te liria. Njihemi kështu me përjetësinë e Heroit Kombëtar, simbol të vazhdimësisë së gjeneratave, të atij që trason dhe lartëson rrugë fitoreje e ardhmërie. Ismeti ligjëron, në emër të të gjithë heronjve: “Heroi im ka vetëm një atdhe dhe emrin çlirimtar” e vazhdon:
Mos e prek Heroin tim,
Ti që më qëndrove
Pesëqind vjet mbi shpinë!
Si në jetën reale, ashtu edhe në atë imagjinare, Ismet Rashiti është i mrekulluar dhe tejet krenar me jetën dhe veprën e Nënës së Madhe Shqiptare, Nënë Terezës, e cila u pranua si nënë dhe si shenjtore në të gjithë botën.
Krenaria dhe mirënjohja e tij lidhet me jetën dhe veprën e Hasan Prishtinës dhe ajo shtrihet kudo ku ndihet e flitet shqip. Ai është i shndërruar në ideal, në atë lloj ideali, që e bëri real Idriz Seferi në Grykë të Kaçanikut, po edhe të gjitha betejat që pasuan:
Idriz Seferi paska ardhur,
Nga palca e gurit paska ka dalë!
Është heroi,
Është krenaria,
Është ardhmëria,
Është Shqipëria,
UÇK është vetë liria!
E jehona e luftës dhe e fitores së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lidhet ngushtë me bashkëveprimtarët e tij, si: Adem Demaçi, Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka, Ukshin Hoti, Abdullah Tahiri, Halil Alidema, Zijah Shemsiu, flamurtari i demonstratave, Rrustem Mahmuti, dhe shumë e shumë të tjerë.
Kur i këndon Kadri Zekës, ai thekson: Ti që më mësove të eci drejt! Kurse me një ndjeshmëri të veçantë i këndon Nënë Halimes, të cilën gjakatarët serbë e dogjën në masakrën e Sllovisë së Lipjanit, më 15 prill 1999.
Cikël më vete është ajo pjesë e librit, ku Ismeti u këndon atyre që u vë epitetin “Yje të lirisë”, si: Hydajet Hyseni, Xhafer Shatri, Berat Luzha, Rrahim Sadiku, Zeqir Ramiqi, Hanife Malaj – Limani (bashkëshortja e Rexhep Malajt), Nusret Hajdari, Muhabi Azemi e Astrit Dehari, duke nxjerrë në spikamë tiparet dhe bëmat e dalluara të tyre. Për të ardhur te përkushtimet, si ai për vendlindjen (Sllatinën), për gruan, për nënë Hatixhen, për babanë, Ajetin, nipat e mbesat.
Vijmë kështu te cikli, ku poeti i këndon artit të Lasgushit dhe artistëve në përgjithësi, për t’u lidhur me kujtimet për Ismail Kadarenë, Rexhep Qosjen, Bekim Fehmiun dhe valltarin e rrallë e të paharrueshëm, Avdyl Rama. Të qëlluara e të këndshme janë edhe poezia kushtuar atdhetarit Nazim Azemi, ajo për veprimtarin e dalluar Xhelal Hoxha, si dhe ajo për mikun e madh të shqiptarëve, Eliot Engelin.
Në këtë vëllim gjejmë edhe disa frymëzime nga rrjedhat jo të volitshme dhe jo siç e meriton shtetndërtimi dhe liria e vendit, prandaj Ismeti në disa vargje ka qëndrim ndryshe për disa nga njerëzit që e rrethojnë:
Dje i doja dhe
I adhuroja njerëzit,
Si të ishin hyjni!
Tashti kafshët
Më janë bërë më të dashura!
si dhe:
Dje çmendesha pas Mona Lizës,
Sot turpërohem
Para syve të saj të përlotur…
Dhe shton momentin real, me ndjeshmërinë dhe vendosmërinë e pandalshme poetike, kur poeti thërret: S’jam Azi, s’jam Arabi… Kjo është një revoltë dhe protestë e një njeriu të përkushtuar ndaj atdheut, lirisë dhe përparimit të vendit të tij, por që e tejkalon këtë. I mrekulluar nga ajo që arrin e ndërton atdheu, i kthehet betimit jetësor, poetik e shpirtëror dhe rri gatitu para Lirisë:
Do nisë udhëtim mbarësie,
Për plagët do të gjejë shërim,
Betuar para lirisë, para fitoreve,
Para gjakut përjetësim!
Dhe:
Të përqafoj dhe ngrohem,
Prej së largu,
Me shpirtin dhe
Dashurinë Tënde!
E gjithë kjo dashuri, nga këndvështrimi i mërgimtarit, shndërrohet në mall poetik:
Kam mall për gjithçka që ishte jetë,
Për tokën e punuar me mund e djersë,
Me shpirtin e mbushur plot ideale,
Që na jepte kënaqësi dhe shpresë!
Këtë shpresë deshën ta shuanin eskadronët e vdekjes (siç e thotë në poezinë e frymëzuar nga libri i Bardhyl Mahmutit), por nuk arritën dot. Por dhembjet vazhdojnë dhe këtë e shpreh në poezinë e dasmës pa babanë, dasmë që ndodhi në familjen e Jakup Krasniqit, të paditur padrejtësisht në Gjykatën e Hagës. Prandaj revolta e tij ndaj këtyre padrejtësive bëhet e fuqishme, kur poeti sheh që spiuni barazohet me vlerat e atdheut. Megjithatë, krenohet me ardhjen e pleqërisë, që poetikisht shënohet me qirinj pa numër dhe me kujtime të dhimbshme e krenare.
Krenare mbeti e do të mbetet përjetësisht vepra dhe ajo që na lanë prapa heronjtë e heshtur, por që flasin me gjuhën e përjetësisë:
Këta janë nderi,
Madhështia dhe krenaria,
Janë shpirti çlirimtar i Atdheut,
Janë të mëdhenj,
Sa vetë liria!
Si përfundim, duke besuar se titulli i poezisë përmbyllëse të librit, “Poezia e fundit”, është vetëm një truk poetik, i uroj dhe i dëshiroj poetit jetë të gjatë dhe të na dhurojë sa më shumë vepra të tjera.
Rrahim SADIKU
Ferizaj 2024
Një botë e pasur poetiko-shpirtërore
Përmbledhja me poezi “Palca e gurit”, e shkruar përgjatë periudhave të ndryshme me përkushtim, dashuri dhe elegancë nga Ismet Rashiti, një personalitet i njohur në opinionin shqiptar, për faktin se ai, si njeri dhe krijues, ka kontribuuar në shumë fusha. Prandaj lirisht mund të pohohet që në hyrje të këtij shkrimi, se ky libër është shkruar me mendje, me shpirt dhe me zemër dhe, si i tillë, shpreh botën e pasur poetike të autorit, i cili tërë jetën ka vepruar me shumë përkushtim e devotshmëri, pa u lodhur kurrë, për Kosovën, për çështjen kombëtare, punë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme.
Dy fjalë për autorin
Ismet Rashiti ka lindur më 1956 në Sllatinë të Poshtme të komunës së Vitisë, tash rezident në Zvicër. Tërë jetën dhe veprimtarinë ia ka kushtuar Atdheut, Kosovës, kulturës shqiptare dhe humanizmit. Prandaj jo rastësisht ai do të këndojë:
Tërë jetën u dogja për Ty, Kosovë,
Me dhembje të mëdha në shpirt.
Për Ty Atdhe, për tokën, fshatin, fushat,
për njeriun, malet, dritën dhe bukën…
Pas shkollës fillore në vendlindje dhe gjimnazit në Viti dhe Ferizaj, ai ka mbaruar Fakultetin Filozofik, ku ka studiuar në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Për shkak të përndjekjes nga pushteti serbo-sllav, Ismeti ishte i detyruar ta braktiste Kosovën dhe të emigronte në Zvicër, ku do të zhvillonte një aktivitet të dendur në shumë fusha si veprimtar i devotshëm dhe i palodhur i çështjes kombëtare, si gazetar dhe publicist. Ka botuar qindra shkrime interesante dhe me vlerë. Është autor i disa veprave me vlera shumështresore. Po ashtu Ismeti është i njohur edhe si autor i dhjetëra filmave dokumentarë, si dhe autor i filmit të njohur dokumentar për Nënë Terezën, që është përkthyer në katër gjuhë të huaja (anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe italisht).
Vlen të theksohet, se për kontributin që ka dhënë në shumë fusha, autori Ismet Rashiti është vlerësuar me shumë mirënjohje dhe çmime.
Mbi vëllimin “Palca e gurit”
Te kjo përmbledhje me poezi, siç shihet edhe nga titujt e cikleve dhe nga titujt e vetë poezive që janë përfshirë në këtë vëllim, kuptojmë se ato, ndonëse të shkruara në periudha dhe rrethana të ndryshme të jetës së autorit, që tashmë ka një përvojë letrare poetike mjaft të stabilizuar, karakterizohen nga një frymë e thellë patriotike dhe liridashëse. Kjo dëshmohet fuqishëm në poezinë “Palca e gurit”, sipas së cilës autori me të drejtë e ka titulluar edhe këtë vëllim:
Nga palca e gurit kam dalë,
E shkëmb në tokën time jam.
Nga vendi kurrë s’lëviz,
Se askund s’peshoj më mirë!
Le t’më shkelin shekujt,
Era gjak le t’më vijë çdo stinë.
Unë kurrë nuk do të shkulem,
Gur përmbi gur, kala përsëri!
Kjo poezi, titullin e së cilës e mban edhe kjo përmbledhje, është programatike, shumë përmbajtësore dhe shenjëzuese e jetës dhe e shpirtit krijues të poetit, i cili me shumë përkushtim, me shumë dashuri dhe elegancë poetike u ka kënduar figurave më të ndritura të kombit, siç janë Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, Rexhep Qosja, Bekim Fehmiu etj.
Nëpërmjet vargjeve të tij, Ismeti ka treguar se është po ai, poeti ynë i dashur, që tërë jetën ia ka kushtuar atdheut, Kosovës dhe është djegur nga malli për të, prandaj shumë sinqerisht edhe këndon:
Me ashtin tënd jemi ngjitur,
Tokë e ndezur nga zjarri,
Në frymën tënde gjejmë prehjen,
Tokë e kuqe, e përgjakur.
“Palca e gurit” e poetit Ismet Rashiti është vetë Kosova, toka dhe atdheu që e ka lindur dhe rritur poetin; heronjtë dhe atdhetarët e saj, që janë të shumtë e të cilët kanë luftuar për të ndër vite dhe shekuj, duke e ujitur këtë tokë të shenjtë me gjak…
Në këtë vëllim kemi plot vargje kushtuar figurave të ndritura të kombit shqiptar. Poeti u ka kushtuar vargje antologjike jo vetëm Skënderbeut, Hasan Prishtinës, Idriz Seferit, Ukshin Hotit, UÇK-së etj., por edhe figurave të mëdha të artit e të kulturës shqiptare, siç janë Lasgush Poradeci, Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Bekim Fehmiu etj.
Ndërkaq, te cikli i fundit i këtij vëllimi, jo rastësisht poeti ka shpalosur revoltën dhe protestën e tij kundër dukurive negative në shoqërinë tonë.
Dhe në fund le të theksojmë edhe një herë, se në këtë vëllim poetik, autori ka shpalosur mjaft bukur dhe me elegancë poetike botën e tij të pasur poetike dhe shpirtërore. Prandaj ky vëllim, sipas vlerësimit tim, jo vetëm për shkak të përmbajtjes, por edhe për shkak të vlerave që ka, lexohet me një frymë dhe, si i tillë, të jep kënaqësi të veçantë estetike, për çka autori meriton një mirënjohje të veçantë!