Poezia dhe mikrofoni

16 maj 2024 | 08:49

George Orwell

Rreth një vit më parë, bashkë me disa të tjerë, u për­fshiva në transmetimin e programeve letrare në Indi dhe, ndër të tjera, transmetuam një pjesë të mirë të poezive të shkrimtarëve bashkëkohorë dhe thuajse bashkëkohorë anglezë si: T. S. Eliot, Herbert Rid, W. H. Oden, Stivën Spender, Dilan Tomas, Henri Tris, Aleks Kamfërt, Robert Brixhis, Edmënd Blandën, D. H. Lorens. Sa herë që ishte e mundur poezitë lexohe­shin nga ata që i kishin shkruar. Nuk ka nevojë të shpjegohet pse u krijuan këto programe të veçanta (një lëvizje e vogël dhe e largët në luftën e radios), por duhet të theksoj se po transmetonim për një audiencë indiane dhe kjo diktoi në një farë mase teknikën që përdorëm. Çështja thelbësore ishte se transmetimet tona letrare u drejtoheshin studentëve të universitetit indian, një audiencë e vogël dhe armiqësore, e paarritshme nga çdo gjë që mund të cilësohej si propagandë britanike. Dihej paraprakisht se s’mund të shpresonim të kishim më shumë se disa mijëra dëgjues dhe kjo na krijoi justi­fikimin për të qenë sa më “përzgjedhës” të ishte e mundur në transmetim.

Nëse transmetoni poezi për njerëzit që e dinë gjuhën tënde, por nuk kanë të njëjtën prejardhje kulturore, disa komente dhe shpjegime janë të pashmangshme, dhe formula që zakonisht ndiqnim ishte të transmetonim një revistë mujore letrare radiofonike. Redaksia ulej në zyrën e saj dhe diskutonte çfarë të përfshinim në num­rin tjetër. Njëri sugjeronte një poezi, tjetri diçka tjetër, bëhej një diskutim i shkurtër dhe më pas lexohej poezia, nga një zë tjetër, mundësisht i autorit. Natyrisht, kjo poezi i linte vendin një tjetre, dhe kështu programi vazhdonte, zakonisht me të paktën gjysmë minute dis­kutim midis dy poezive. Për një program prej gjysmë ore, gjashtë zëra dukej se ishin numri më i mirë.

Një program i këtij lloji në mënyrë të pashmangshme do të ngjante disi i pa formë, por mund t’i krijohej një lloj uniteti duke u përqendruar te një temë e vetme qendrore. Për shembull, një numër i revistës sonë ima­gjinare iu kushtua temës së luftës. Përfshinte dy poezi të Edmënd Bllandënit, Shtator 1941 të Odenit, frag­mente nga një poezi e gjatë e G. S. Freizërit (Një letër për Ana Ridlerin), Ishujt e Greqisë të Bajronit dhe një fragment nga Revoltë në shkretëtirë e T. E. Lorensit. Kjo lëndë, me argumentet që i paraprinte dhe vijonte, mbu­loi mjaft mirë qëndrimet e mundshme ndaj luftës. Poezitë dhe fragmenti i prozës mori rreth njëzet minuta për t’u transmetuar, argumentet rreth tetë minuta.

Kjo formulë mund të duket paksa qesharake, por edhe shumë imponues është fakti që elementi thjesht udhëzues, motivi i teksteve, i cili në mënyrë të pash­mangshme nëse do të të transmetojë vargje serioze dhe ndonjëherë “të vështira”, bëhet shumë më pak ndalues ​​kur shfaqet si një diskutim joformal. Folësit e ndryshëm mund t’i thonë njëri-tjetrit atë që në të vërtetë po ia thonë audiencës. Gjithashtu, me një qasje të tillë, të paktën i jep poezisë një kontekst, që është pikërisht ajo që i mungon poezisë nga këndvështrimi i një njeriu të zakonshëm. Por sigurisht që ka metoda të tjera. Një nga të cilat e përdornim shpesh ishte ta lexojmë një poezi me muzikë në sfond.

Njoftohet se pas pak minutash do të transmetohet kjo ose ajo lloj poezie, pastaj dëgjohet muzikë, ndoshta për një minutë, muzika bëhet e ulët kur lexohet poezia, e cila vijon pa asnjë titull apo njoftim, më pas muzika bëhet e ulët sërish dhe vazhdon për një ose dy minuta të tjera – e gjithë kjo zgjat ndoshta pesë minuta. Është e nevojshme të zgjidhet muzika e përshtatshme, por është e panevojshme të thuhet, qëllimi i vërtetë i muzikës është ta izolojë poezinë nga pjesa tjetër e programit. Me këtë metodë mund të kesh, të themi, një sonet të Shek­spirit brenda tre minutash pas një buletini lajmesh, pa asnjë mospërputhje të madhe për veshin.

Këto programe s’kishin vlerë të madhe në vetvete, por po i përmend për shkak të ideve që ngjallën tek unë dhe disa të tjera për t’i treguar mundësitë e radios si mjet i popullarizimit të poezisë. Më ka habitur që në fillim fakti se transmetimi i një poezie nga personi që e ka shkruar atë nuk krijon vetëm një efekt për audiencën, nëse ka, por edhe për vetë poetin. Duhet kujtuar se në Angli është bërë jashtëzakonisht pak për mënyrën e transmetimit të poezisë dhe se shumë njerëz që shkru­ajnë vargje s’e kanë menduar asnjëherë idenë për ta lexuar me zë të lartë. Duke u ulur para një mikrofoni, veçanërisht nëse kjo ndodh rregullisht, poeti vendos një marrëdhënie të re me veprën e tij, e cila përndryshe nuk do të ishte e arritshme në kohën dhe vendin tonë.

Është e zakonshme që në kohët moderne – le të themi gjatë dyqind vjetëve të fundit – poezia ka pasur gjithnjë e më pak lidhje qoftë me muzikën, qoftë me fjalën e folur. Ajo ka nevojë për t’u shtypur që të ekzistojë dhe nuk pritet që një poet, si i tillë, të dijë të këndojë apo edhe të recitojë më shumë se pritet që një arkitekt të dijë të suvatojë një tavan. Poezia lirike dhe retorike pothu­ajse nuk shkruhen më dhe armiqësia ndaj poezisë nga ana e njeriut të thjeshtë është marrë si e mirëqenë në çdo vend ku të gjithë mund të lexojnë.

Dhe aty ku ekziston një thyerje e tillë, ajo është gjith­monë e prirë të zgjerohet, sepse koncepti i poezisë si diçka më së shumti e shtypur dhe diçka e kuptueshme vetëm për një pakicë, nxit të errëtën dhe “zgjuarsinë”. Sa njerëz ndiejnë gati në mënyrë instinktive se duhet të ketë diçka që s’shkon me ndonjë poezi, kuptimi i së cilës mund të nxirret me një të lexuar? Duket e pamun­dur që këto prirje të ndryshojnë nëse nuk bëhet përsëri diçka e natyrshme të lexosh vargjet me zë të lartë dhe është e vështirë të shohësh se si mund të arrihet kjo, përveçse duke përdorur radion si mjet. Por këtu duhet të vihet re përparësia e veçantë e radios, fuqia e saj për ta zgjedhur audiencën e duhur dhe për ta larguar frikën dhe sikletin e skenës.

Në transmetim audienca jote është e përfytyruar, por e një njeriu. Miliona mund të dëgjojnë, por secili po dëgjon vetëm, ose si anëtar i një grupi të vogël, dhe secili ka (ose duhet të ketë) ndjenjën se po i flisni atij individualisht. Është e arsyeshme të hamendësohet se audienca është dashamirëse, ​​ose të paktën e interesuar, sepse kushdo që është i mërzitur mund ta fikë radion me një rrotullim butoni.

Por edhe nëse ju simpatizon, audienca s’ka fuqi mbi atë që bëni. Pikërisht këtu ndryshon transmetimi nga fjalimi apo leksioni. Në platformë, siç e di kushdo që është mësuar të flasë në publik, është gati e pamundur që toni i komunikimit të mos ndikohet nga audienca. Është përherë e qartë brenda pak minutash ajo ndaj së cilës reagojnë ose jo, dhe në praktikë jeni thuajse të detyruar të flisni për t’u kuptuar edhe nga personi që për ju mund të jetë më budallai i pranishëm dhe, gjith­ashtu, të bëheni i pëlqyeshëm me anë të reklamimit të “personalitetit”. Nëse veproni kështu, pasoja është gjithmonë një atmosferë e ftohtë, e sikletshme.

Kjo gjë e frikshme, “lexim poezie”, është e tillë sepse do të ketë gjithmonë në mesin e audiencës disa që mër­ziten ose të gjithë, por janë armiqësorë në mënyrë të sinqertë, ata mund të largohen me veprimin e thjeshtë të rrotullimit të një butoni. Dhe në fund të fundit kemi të njëjtën vështirësi – fakti që një publik teatri nuk është i përzgjedhur – ajo që e bën të pamundur realizimin e një shfaqjeje të mirë të Shekspirit në Angli. Në transme­tim radiofonik, këto kushte nuk ekzistojnë. Poeti e ndien se po u drejtohet njerëzve për të cilët poezia do të thotë diçka dhe është fakt që poetët e mësuar të transmetojnë mund të lexojnë në mikrofon me një vir­tuozitet që nuk do ta arrinin ta kishin nëse do të kishin një audiencë të dukshme përpara. Elementi i përfyty­rimit në këtë rast nuk ka shumë rëndësi.

Çështja është se në të vetmen mënyrë të mundshme tani poeti është në një situatë në të cilën leximi i var­gjeve me zë të lartë duket një gjë e natyrshme dhe e pasikletshme, një shkëmbim normal midis teje dhe tje­trit: gjithashtu ai mendon për veprën e tij më tepër si tingull sesa si diçka e shtypur në letër.

Kësisoj, pajtimi mes poezisë dhe njeriut të zakon­shëm është më i afërt. Ai tashmë ekziston në valët në eter të poetit, pavarësisht se çfarë po ndodh me atë që e dëgjon. Megjithatë, ajo që po ndodh në skajin tjetër s’mund të shpërfillet. Do të shihet se kam folur sikur e gjithë tema e poezisë të ishte e sikletshme, gati e pahij­shme, sikur popullarizimi i poezisë të ishte në thelb një manovër strategjike, si t’i japësh të pijë një dozë ilaçi një fëmije ose të tregohesh tolerant ndaj një sekti të persekutuar. Por, për fat të keq, kemi të bëjmë me diçka të ngjashme. S’ka dyshim se në qytetërimin tonë poezia është deri më tani arti më i zhvlerësuar, i vetmi art, në të vërtetë, tek i cili njeriu mesatar refuzon të gjejë ndonjë vlerë.

Arnold Benet s’po e ekzagjeronte kur tha se në vendet anglishtfolëse fjala “poezi” do ta shpërndante një turmë më shpejt se një zjarrfikëse. Siç e kam theksuar, një hendek i këtij lloji priret të zgjerohet thjesht për shkak të ekzistencës së saj, njeriu i zakonshëm po bëhet gjithnjë e më shumë anti-poezi, poeti gjithnjë e më shumë arrogant dhe i pakuptueshëm, deri në pranimin e ndarjes midis poezisë dhe kulturës popullore si një lloj ligji i natyrës, megjithëse në fakt i përket vetëm kohës sonë dhe një zone relativisht të vogël të tokës. Ne jetojmë në një epokë në të cilën njeriu mesatar në ven­det shumë të qytetëruara është estetikisht inferior ndaj njeriut më të egër.

Kjo gjendje përgjithësisht shihet si e pashërueshme prej ndonjë veprimi të vetëdijshëm dhe, nga ana tjetër, pritet që të vetëkorrigjohet sapo shoqëria të marrë një formë më të përshtatshme. Me ndryshime të vogla mar­ksisti, anarkisti dhe besimtari fetar do t’jua thonë këtë, dhe në terma të përgjithshme kjo është padyshim e vërtetë. Shëmtia në mes të të cilit jetojmë ka shkaqe shpirtërore dhe ekonomike dhe nuk shpjegohet thjesht me shmangien e traditës në një moment apo në një tjetër. Por nuk ka kuptim të thuash se nuk është i mun­dur asnjë përmirësim brenda kornizës së tanishme, dhe as që një përmirësim estetik nuk është pjesë e domosdo­shme e shëlbimit të përgjithshëm të shoqërisë. Prandaj, ia vlen të ndalemi dhe ta pyesim veten nëse është e mun­dur edhe tani që të shpëtohet poezia nga kjo rrethanë e veçantë si më e urryera e arteve dhe të fitohet për të të paktën e njëjta shkallë tolerance që ekziston për muzi­kën. Por duhet nisur duke pyetur, në çfarë mënyre dhe në çfarë mase është e papëlqyeshme poezia?

Në pamje të parë tabloja e mungesës së popullaritetit të poezisë është aq e plotë sa mund të ishte. Por po ta mendosh më mirë, kjo gjendje duhet të cilësohet në mënyrë më të hollësishme. Së pari, ka ende një lloj poezie popullore (vjershat për fëmijë etj.) e cila njihet dhe citohet në të gjithë botën dhe është pjesë e njohu­rive të secilit. Janë edhe disa këngë dhe balada të lashta të cilat vazhdojnë të jenë të dashura. Përveç kësaj, ekzi­ston popullariteti, ose të paktën tolerimi, i poezisë “së mirë, të keqe”, përgjithësisht e një lloji patriotik ose sentimental.

Mund të duket pa lidhje nëse poezia “e mirë, e keqe” të mos kishte të gjitha karakteristikat që e bëjnë njeriun mesatar të mos e pëlqejë poezinë e vërtetë. Është në vargje, ka rima, trajton ndjenja të larta dhe me gjuhë të pazakontë – e gjithë kjo në një shkallë shumë të thek­suar, sepse është pothuajse aksiomatike që poezia e keqe është më shumë “poetike” sesa poezia e mirë. Megjithatë, nëse nuk pëlqehet në mënyrë aktive, të pak­tën tolerohet. Për shembull, pak para se të shkruaja këtë ese, dëgjova disa humoristë në BBC. që bëjnë shfaqjen e radhës përpara lajmeve të orës 9.00. Në tre minutat e fundit, një nga dy aktorët e humorit papritmas njofton se ai “dëshiron të jetë serioz për një çast” dhe vazhdon të recitojë një pjesë të një paçavureje patriotike të titu­lluar Një xhentëlmen i dashur plak anglez, që lavdëronte Madhërinë e Tij – Mbretin. Tani, cili është reagimi i audiencës ndaj këtij kalimi të papritur në llojin më të keq të heroizmit me rimë? Ky kalim s’mund të jetë negativ në këtë mënyrë kaq të dhunshme, ose do të kishte një vëllim goxha të madh letrash indinjuese për të ndaluar transmetime në BBC. të këtyre lloj gjërash. Kështu arrijmë në përfundimin se megjithëse publiku i gjerë është armiqësor ndaj poezisë, ai nuk është fort armiqësor ndaj vargut. Në fund të fundit, nëse rima dhe metrika nuk do të pëlqeheshin vetëm se janë rima, as këngët dhe as vjershat me fjalë të pista s’do të ishin të njohura.

Poezia është e papëlqyeshme sepse e lidhin me pakup­tueshmërinë, prirjen për t’u dukur intelektual dhe ndje­sinë e përgjithshme se është vetëm për në fundjavë. Emri i saj krijon paraprakisht të njëjtën përshtypje të keqe si fjala “Zot”, ose kollarja e qenit të një famulli­tari. Në një farë mase popullarizimi i poezisë është një çështje e çlirimit nga kjo ndjenjë e ngulitur frenimi. Çështja është t’i bësh njerëzit të dëgjojnë në vend se të shqiptojnë në mënyrë mekanike. Nëse poezia e vërtetë mund t’i paraqitej publikut të gjerë në një mënyrë të tillë që ta bënte të dukej normale, pasi gjepurat që sapo kam dëgjuar me gjasë duken normale, atëherë një pjesë e paragjykimit ndaj saj mund të kapërcehet.

Është e vështirë të besohet se poezia mund të popu­llarizohet përsëri pa ndonjë përpjekje të qëllimshme për edukimin e shijes së publikut, duke përfshirë strategji dhe, ndoshta, edhe dredhi. T. S. Eliot ka sugjeruar një herë që poezia, veçanërisht ajo dramatike, mund të rik­thehej në ndërgjegjen e njerëzve të zakonshëm nëpër­mjet sallës së koncerteve; ai mund të shtonte edhe pantomimën, mundësitë e mëdha të së cilës nuk duket se janë hulumtuar plotësisht. Drama në vargje Suini Agënostis ndoshta u shkrua me një ide të tillë në mendje, në fakt do të ishte e imagjinueshme si një sheshpushim në sallën e koncerteve, ose të paktën si një skenë në një shfaqje. Radion e kam sugjeruar si një mjet komuni­kimi më shpresëdhënës dhe kam vënë në dukje përpa­rësitë e saj teknike, veçanërisht nga këndvështrimi i poetit. Arsyeja se pse një sugjerim i tillë tingëllon i pashpresë në dëgjimin e parë është se pak njerëz janë në gjendje ta imagjinojnë radion të përdoret për për­hapjen e ndonjë gjëje, përveç gjepurave.

Njerëzit dëgjojnë gjërat që oshtijnë në altoparlantët e botës dhe arrijnë në përfundimin se kjo është arsyeja e vetme pse transmetimi radiofonik ekziston. Në të vër­tetë, vetë fjala “radiofonik” krijon një foto ose të dikta­torëve zëri i të cilëve buçet ose zërash të butë që njof­tojnë se tre nga avionët tanë nuk kanë arritur të kthe­hen. Poezia në radio ngjan me muzat me pantallona me vija. Megjithatë, s’duhet të ngatërrohen aftësitë e një mjeti me përdorimin që i bëhet në të vërtetë.

Transmetimi është ai që është, jo sepse ka diçka në thelb vulgare, budallaqe dhe të pandershme në të gjithë aparatin e mikrofonit dhe transmetuesit, por sepse i gjithë transmetimi që ndodh tani në të gjithë botën është nën kontrollin e qeverive ose kompanive të mëdha të monopoleve që janë të interesuara për ta ruajtur status quo-në dhe, për rrjedhojë, për të parandaluar që njeriu i zakonshëm të bëhet tepër inteligjent.

Diçka e ngjashme ka ndodhur me kinemanë, e cila, ashtu si radioja, u shfaq në fazën e monopoleve të kapi­talizmit dhe është jashtëzakonisht e shtrenjtë për t’u vënë në punë. Në të gjitha artet prirja është e ngjashme. Gjithnjë e më shumë kanalet e prodhimit janë nën kontrollin e burokratëve, qëllimi i të cilëve është ta shkatërrojnë artistin ose të paktën ta tredhin atë. Kjo do të ishte një perspektivë e zymtë nëse nuk do të ishte se totalitarizimi që po vazhdon tani dhe që padyshim duhet të vazhdojë në çdo vend të botës, zvogëlohet nga një proces tjetër që nuk është i lehtë të parashikohet as edhe në një kohë kaq të shkurtër si ajo para pesë vjetëve.

Kjo do të thotë se makinat e mëdha burokratike, pjesë e të cilave jemi të gjithë, kanë filluar të punojnë duke bërë zhurmë për shkak të madhësisë dhe rritjes së vazhdueshme. Prirja e shtetit modern është ta zhdukë lirinë e intelektit e, megjithatë, në të njëjtën kohë, çdo shtet, veçanërisht nën trysninë e luftës, ka nevojë gjithnjë e më shumë për një inteligjencë që t’i bëjë reklamën. Shteti modern ka nevojë, për shembull, për shkrimtarë pamfletesh, artistë posterësh, ilustrues, transmetues radio­fonik, lektorë, producentë filmash, aktorë, kompozi­torë këngësh, madje edhe për piktorë e skulptorë, pa përmendur psikologët, sociologët, biokimistët, mate­matikanët dhe gjithçka tjetër. Qeveria britanike e filloi luftën e tanishme me synimin pak a shumë të deklaruar hapur për t’i mbajtur intelektualët e fushës së letrave larg saj; megjithatë, pas tre vjetësh lufte, pothuajse çdo shkrimtar, sado i padëshirueshëm për historinë apo opinionet e tij politike, është punësuar nëpër ministri të ndryshme ose te BBC, madje edhe ata që hyjnë në forcat e armatosura priren që pas një farë kohe ta gjejnë veten te marrëdhëniet me publikun ose të angazhuar me ndonjë punë tjetër, në thelb letrare.

Qeveria i ka përthithur këta njerëz, edhe pa dëshirën e saj, sepse ajo pa qe është e paaftë për të vazhduar pa ta. Ideali, nga pikëpamja zyrtare, do të kishte qenë që të vihej i gjithë publiciteti në duart e njerëzve “të sigurt” si A.P. Herbert ose Ian Hay, por duke qenë se nuk kishte shumë si ata, duhej të përdorej shtresa e intelektualëve që kishin dhe toni dhe, deri-diku, edhe përmbajtja e propagandës zyrtare është ndryshuar në përputhje me rrethanat.

Askush i njohur me broshurat e qeverisë nëpër radio, leksionet, filmat dokumentarë dhe transmetimet radio­fonike në vendet e pushtuara, të cilat janë lëshuar gjatë dy vjetëve të fundit, imagjinon se pushtetarët tanë do ta sponsorizonin këtë lloj gjëje nëse mund ta bëjnë vetë. Vetëm se sa më e madhe të bëhet makina e qeverisjes, aq më të shumta bëhen skajet dhe qoshet e harruara në të. Ky është ndoshta një ngushëllim i vogël, por nuk është i përçmuar. Kjo do të thotë se në vendet ku tashmë ekziston një traditë e fortë liberale, tirania buro­kratike ndoshta nuk mund të jetë kurrë e plotë. Ata që veshin pantallona me vija do të sundojnë, por për sa kohë që ata janë të detyruar të mbajnë një shtresë inte­lektuale, kjo shtresë do të ketë njëfarë autonomie. Nëse qeveria ka nevojë, për shembull, për filma dokumen­tarë, ajo duhet të punësojë njerëz të interesuar veçanë­risht për teknikën e filmit dhe duhet t’u lejojë mini­mumin e nevojshëm të lirisë; për rrjedhojë, filmat që janë të gjithë të gabuar nga pikëpamja burokratike, do të kenë gjithmonë prirjen për t’u shfaqur. Kështu edhe me pikturën, fotografinë, shkrimin e skenarit, reporta­zhin, leksionin dhe të gjitha artet e gjysmartet e tjera për të cilat ka nevojë një shtet kompleks modern.

Zbatimi i kësaj praktike në radio është i dukshëm. Aktualisht, altoparlanti është armiku i shkrimtarit kri­jues, por kjo mund të mos mbetet domosdoshmërisht e vërtetë kur vëllimi dhe shtrirja e transmetimit rritet. Kështu siç janë gjërat, megjithëse BBC ka pak interes për letërsinë bashkëkohore, është më e vështirë të kapësh pesë minuta transmetim gjatë të cilave të dëgjosh një poezi sesa dymbëdhjetë orë në të cilat bëhet propa­gandë e rreme, muzikë e pashije, shaka bajate, “disku­time” të rreme apo çfarë të ketë. Por kjo gjendje mund të ndryshojë në mënyrën që kam treguar, dhe kur të vijë koha, eksperimenti serioz në transmetimin e vargjeve, duke shpërfillur plotësisht ndikimet e ndryshme që e pengojnë një gjë të tillë, do të bëhej i mundur.

Nuk mëtoj siguritë plot se një eksperiment i tillë do të kishte rezultate të jashtëzakonshme. Radioja u buro­kratizua aq herët në karrierën e saj saqë raporti ndër­mjet transmetimit dhe letërsisë nuk është menduar kurrë. Nuk është e sigurt që mikrofoni është instru­menti me të cilin poezia mund të rikthehet te njerëzit e thjeshtë dhe madje nuk është e sigurt që poezia do të fitonte duke qenë më shumë e recituar dhe më pak e shkruar. Por unë kërkoj që këto mundësi të ekzistojnë dhe ata që kujdesen për letërsinë të mund ta kthejnë mendjen më shpesh te ky mjet komunikimi shumë i përbuzur, fuqitë e të cilit për mirë ndoshta janë errësuar nga zërat e profesor C.E.M Joad[1] dhe doktor Gëbelsi.[2]

Shkruar në vjeshtë 1943, botuar te New Saxon Pamphlet, nr. 3, mars 1945

Përktheu në shqip: Granit Zela

©Armagedoni

[1] Cyril Edwin Mitchinson Joad (1891-1953), filozof anglez dhe per­sonalitet i radios i cili u shfaq në një program diskutimi në BBC gjatë kohës së luftës. Ai popullarizoi filozofinë dhe u bë një njeri i famshëm përpara skandalit për një biletë të papaguar treni në vitin 1948. (Shënim i përkthyesit.)

[2] Paul Joseph Goebbels (1897-1945), politikan nazist gjerman, krye­propagandist i Partisë Naziste dhe më pas ministër i Propagandës së Rajhut nga 1933 deri më 1945. Ishte një nga njerëzit më të afërt të Adolf Hitlerit, i njohur për aftësitë e tij në të folurit publik dhe anti­semitizmin e tij. Mbrojti diskriminimin gjithnjë e më të ashpër dhe shfarosjen e hebrenjve në Holokaust. Gëbelsi mori titullin doktor i Filologjisë nga Universiteti i Heidelbergut në vitin 1921. (Shënim i përkthyesit.)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti rus Vladimir Putin ka mbërritur në Kinë për një…