POEZIA E AGIM VINCËS, KUPTIM DHE BUKURZANIM (3)

28 janar 2018 | 15:29

SHEFKIJE ISLAMAJ

Në një numër të konsiderueshëm poezish kundërvënia zbulon luftën e përgjithshme e të përjetshme të njeriut në binomin e mira/e keqja, drita/errësira, luftën më të pasigurt të njeriut me veten e vet dhe luftën për idealet e njerëzimit, për të etikshmen, për njerëzoren.

Thuhet se nuk ka gjuhë të vogla, se të gjitha gjuhët janë të mëdha nëse në to mund të shqiptohen gjërat thelbësore dhe gjërat e mëdha të jetës, mençuritë shekullore për jetën, vdekjen, të bukurën e të shëmtuarën, të ulëtën e të lartën… Shikuar nga kjo anë, kjo përmbledhje poezish provon se poeti Agim Vinca vazhdon misionin e vet për të mirën, të drejtën, të vërtetën, të njerëzishmen, por provon, njëkohësisht, se gjuha, ruajtja dhe kultivimi i saj, i vlerave të saj të pamatshme, përbëjnë misionin e tij jetësor.

Poeti në të vërtetë provon të dhënën e njohur se gjuha nuk është vetëm paraqitje e botës, por edhe krijim i saj. Së këndejmi, përzgjedhja e tij në rrafshin e gjuhës, përzgjedhja midis varianteve të shumta gjuhësore, i ka ndihmuar atij që të ndërtojë e të shprehë në hollësi e qartësisht botën e tij të brendshme. Përmes kujtesës kulturore dhe kujtesës gjuhësore, poezia e tij në të vërtetë nxit vetëdije kulturore-historike, prandaj ajo bëhet shprehje e kulturës së tij të gjerë, shprehje e përvojës së tij të gjatë jetësore, asnjëherë të qetë e të pajtueshme me realitetin, bëhet thirrje për ta ruajtur me çdo kusht dinjitetin e integritetin vetjak, fuqinë e reflektimit dhe urtinë.

Në këtë përmbledhje më duket se poezia më e arrirë ideo-artistikisht është Kambanë në qafë. Fjala është për një tërësi poetike të organizuar mirë në të cilën nuk kemi strofa të veçanta, por vargjet, shtatëdhjetë e pesë sosh,paraqesin pjesë të tërësisë, duke sjellë secili në mënyrën e vet plotësim të asaj tërësie e të një botëkuptimi poetik për një çast të rëndësishëm në jetën e poetit, çast që hap një kapitull të ri në jetën e tij – përfundimi i viteve të punës. Kjo poezi është lament për pamundësinë e pafuqinë e tij për ta ndryshuar fatin e njeriut e të vetin, për t’i ndryshuar ligjet e natyrës e ligjet e shtetit dhe, njëkohësisht, është pranim i gjendjes së tillë çfarë në të vërtetë është.

Qe ditë me diell. Muaji maj. Më e bukura stinë,
kur mora pusullën me vulë e nënshkrim!
Tani jam i lirë, plotësisht i lirë, të dashur miq!
I kam gjashtëdhjetë e pesë dimra e beharë mbi kurriz
Dhe shtatëdhjetë e pesë euro në xhep!
Mund të bëj ç’të dua. Po, për besë!
(Kambanë në qafë)

Poezia në të vërtetë nuk është vetëm lament për pafuqinë e pamundësinë e njeriut, por është lament për t’i qëndruar gjithçkajes që është kalimtare, e përkohshme. Përmes paraqitjes së gjendjes së tij emocionale dhe objektive, poeti na shpalos jo vetëm ato që ka kaluar në një farë mënyre në jetën etij deri në atë çast, por edhe ato që i ofrohen, në të vërtetë që mund të zgjedhë ai në një gjendje me mundësi të rrudhura shumanshëm.

Poeti na e qet përpara dëshminë e palëkundur se vjen një kohë që skajon e ndrydh gjithçka që ka përfaqësuar jetën e një njeriu të angazhuar profesionalisht e intelektualisht me gjithë qenien e tij. Skajimi gjithmonë e në çdo kohë është i pamëshirshëm dhe i pashpresë, në të vërtetë zhgënjyes. Na qet përpara dëshminë se në këtë gjendje ai mund të dalë fitues me poezinë, sepse ajo mund kohën dhe asgjënë, në të vërtetë mosqenien. Poezia është një ankim i poetit në emër të tij e të shokëve të tij, ashtu na thotë qartë nëntitulli i poezisë Rekuiem për veten dhe shokët e mi. Aluzionet që përdor poeti për ta dëshmuar gjendjen e tij ndjenjore janë mbresëlënëse.

E sa e sa të tjerë. Artistë, poetë.
Ikën më të rinj se unë e shokët e mi.
Plaku i Makit, De Rada ynë, po.
Ndërroi jetë me një cironkë në xhep në prag të të nëntëdhjetave
Ai që këndoi: “Ardhi ditë e Arbërit!”
A thua erdhi vërtet kjo ditë?
(Kambanë në qafë)

Poezia është ndërtuar mbi fakte e paradokse të kohëve të shkuara, që përballen me ato të tashme, me simbole të vendlindjes dhe të kujtesës sonë kulturore, duke i njësuar ato mrekullisht e duke u dhënë fuqishëm kuptim të brendshëm e të pasur simbolik. Vargjet janë plot ndjesi ku ndihen thellë mërzia, pakënaqësia e revolta.

Tani jam plotësisht i lirë!
Mund të kthehem andej nga kam ardhë
Të zë peshkun e artë në ujërat e liqenit,
të shtrihem gjerë e gjatë buzë lumit tim,
të kapem në rrjetë a ta gëlltis karremin vetë…
Mund të iki nga sytë këmbët, të shkoj ku të dua,
në Europë, Amerikë e më larg akoma.
Mund të blej litar të ri fringo si Klosi
E lakun në fyt në papafingon sterrë
në Tiranën përplot tiranë të vegjël e të mëdhenj.
(Kambanë në qafë)

Trajtimi i përditshmërisë së subjektit lirik përthellohet me kërkimin e sfidave të mëdha përballë gjendjes së tij sociale e qytetëruese. Së këndejmi, hapësira e poezisë së tij nis e zhvillohet prej fragmenteve të vogla lirike e deri te eseizimi i botës i ndërthurur me pragmatizëm ekonomik e social. Poezitë si kjo dhe disa të tjera në këtë përmbledhje dëshmojnë për një poetikë të realizmit urban.

Përgjatë gjithë poezisë shquhet motivi i përkohësisë, pashmangshëm shquhet edhe ndjesia që krijohet kur të godasin ashpër jo vetëm mosha e fati po, sidomos, kur të godet njëmendësia, që nuk lidhet kurrkund as me natyrën e ligjësitë e saj e as me fatin a parathënien. Poeti e ndien thellë ashpërsinë e kësaj goditjeje, prandaj poezia përfundon me një si “dorëzim” të poetit, që materializohet vetëm me një psherëtimë: “Ah”. Psherëtima e poetit nuk është kurrë psherëtimë e zakonshme. Duket se ky “ah” i poetit zbulon më shumë të brendshmen e tij sesa të gjitha vargjet e frymëzuara të kësaj poezie me kuptime të shtresëzuara e me hollësi biografike-poetike.

Poetin e udhëheq gjuha dhe rendi i asociacioneve: poezia është plot episode të lidhura jodrejtpërdrejt me njëra-tjetrën, ku përngjashmimi shoqërohet me një si monolog të gjallë e ku natyrshmëria e gjuhës ndihet thellësisht. Ndikimi i gjuhës dhe përpunimi i lëndës së saj në këtë monologim krijojnë çastet më të bukura të kësaj poezie theksueshëm realiste, pikërisht përmes shprehjeve të natyrshme të një ligjërimi bisedor spontan: Mund të bëj ç’të dua. Po për besë!; Ç’nuk mund të bëj! Ç’nuk!; Pse jo?; Ji i lumtur më thonë. Dhe jam. Pse të mos jem! Etj.

Në këtë poezi poetika e paqetësisë, e zhgënjimit, e melankolisë dhe zëri i revoltës bashkojnë kulturën, dijen dhe përvojën e drejtpërdrejtë të autorit. Me një fjalë, poeti Agim Vinca me poezitë e veta sprovon mundësitë botëkrijuese të gjuhës, sepse kjo i mundëson të hetojë jo vetëm raportin e saj, pra të gjuhës, me njëmendësinë, por t’i sprovojë edhe kufijtë e lirisë së tij gjuhësore e për t’i vënë në sprovë këto mundësi të gjuhës.

Poezitë e kësaj përmbledhjeje paraqesin vijën ngjitëse qartësuese të një poetike që ka ruajtur fizionominë e fuqinë e saj që prej poezisë së tij të parë të para 45 vjetëve e deri te kjo që po e trajtojmë në këtë trajtesë, në të cilën në mënyrë simbolike, me gjuhë të përzgjedhur dhe të saktë, u jepet epërsi gjërave të vogla, kurse përditësia bëhet skenë e madhe në të cilën ngjizen e nxiten dashuritë e mëdha e pakënaqësitë e poetit.

Parimisht i përcaktuar për poezinë lirike, me këtë përmbledhje poeti sikur po “rrëshqet” kah poetika e së rëndomtës, të së jashtmes dhe e të së zbulueshmes. Temat që i shkojnë kësaj poetike janë pikërisht ato që i gjejmë të trajtuara në këtë përmbledhje poezish – jeta e qytetarit shqiptar në rrethanat e reja shoqërore, politike, ekonomike, kulturore dhe ndikimi i fuqishëm i saj në botën e tij të brendshme. Krahas eseizimit të mjedisit që e rrethon, poeti kujdeset fort edhe për përçimin e mesazheve që lidhen me pakënaqësitë e tij të shtresëzuara nëpër vitet e jetës së tij deri sot.

Dhe për ta përmbyllur shkrimin po shtojmë:  Libri më i ri i Agim Vincës, i titulluar Nostalgji për kohërat e rrezikshme, trajton tema të rëndësishme të shqiptarëve dhe të hapësirës shqiptare. Ky libër është në të vërtetë një shesh bisedimi për njëmendësinë e sotme të tyre. Ligjërimi i tij poetik, për arsye të natyrës së temave që trajton, që në të shumtën e herës nuk duron dykuptimësi, ka veçoritë e një ligjërimi të hapur poetik, për aq sa lejon poezia lirike që të shprehë probleme e drama të një realiteti të jetuar çdo ditë. Për ta realizuar synimin dhe për t’u bërë dëshmitar dhe zë i kohës, poeti mbush poezinë e tij me fakte historike dhe asociacione të larmishme mbi këtë bazë. Metaforizimi karakteristik, veçoritë formale e stilistike, semantika dhe, sidomos, gjuha, e bëjnë këtë për¬mbledhje të poezisë të veçantë dhe joshëse për lexim, në të vërtetë e bëjnë poezi të mendimit, poezi të ndjenjës, poezi bukurtingëlluese.

Poezitë e këtij libri, sikundër edhe ato të përmbledhjeve të mëhershme, e dëshmojnë autorin njohës të mirë të gjuhës, krijues me prirje e me ndjenjë të shquar gjuhësore e estetike, ruajtës e zelltar këmbëngulës të gjuhës dhe të shprehjes gjuhësore shqipe. (Vijon nga numri i kaluar. Fund)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny, është arrestuar sot në…