Poezia e Basri Çapriqit si perde e ngritur e dramës kombëtare
Milazim Krasniqi
Vëllimi poetik “Frutat bizare“ shpaloset si një kërkim poetik i vendosur pas kuptimeve kyçe për ekzistencën, duke e dhënë të qartë identitetin krijues të Basri Çapriqit. Ky autor që nga vëllimi i parë “Ulli me dymijë unaza” është përfshirë në vorbullin e hulumtimit të të vërtetave që i ka parë si të rëndësishme dhe shqiptimit të tyre në formën e vërtetësisë artistike. Ideja themelore që u shqiptua në vëllimin e parë të tij ishte se ambienti jetësor e kombëtar ishin vlera sublime që participonin në integritetin shpirtëror të njeriut. Poezia “A vdiq humanizmi” e përfshirë në vëllimin “Në fund të verës”, e paralajmëronte qartë dhe ashpër fillimin e një procesi të shpërbërjes së atyre vlerave e rrjedhimisht edhe fillimin e preokupimit të këtij autori me nyjat e disekuilibreve emocionale e shpirtërore të njeriut shqiptar. E fiksuar në vëllimin “Ma qet gjuhën” në kontekstin e të ndodhurave historike, dhe në një cep krejt tjetër të hapësirës shqiptare, në Çamëri, shprishja e ambientit jetësor e kombëtar, nuancohet si preokupim i vazhdueshëm intelektual e krijues i Basri Çapriqit. Në vëllimin “Frutat bizare” tash e shqipton më shumë në nivelin e stresit dhe të dramës personale.
Individi i shkëputur nga ambienti i vet jetësor e kulturor, shket nëpër baltën e anonimitetit, me identitet të deformuar e të përdhunuar. Poezia Ikja, që është në ballë të vëllimit, shpalos konfiguracionin e neurozës së individit me identitet të humbur në ambientin e huaj. Vargu i kësaj poezie është i ndërtuar ashtu që dalin të ngjizura çastet, idetë fikse ( gjysmëvargu:ja tash është momenti), përshkrimet, gjestet, duke e krijuar të plotë idenë e stresit, të frikës dhe të humbjes së identitetit. Poezia pasuese Dhoma ime në Londër, e detajizon edhe më tutje këtë rrezik depersonalizimi. Vargjet e fundit, me ndërtimin sintaksor të prozaizimit, shprehin situatën e individit të dërrmuar: në derën e mbetur hapur thehet drita dhe pamjet/e shumëfishuara të gjymtyrëve të mi në pasqyrat e montuara/që rrënojnë botën time të fshehur nga/ sheshi e nga turma/. Përmasat e depersonalizimit kanë arritur deri atje sa edhe gjymtyrët e trupit të duken të frikshme, dhe që ikja, fshehja të jetë e kotë, ngase procesi degjenerativ e bren integritetin edhe nga brenda. Njeriu i tillë nuk mund ta zgjidh dilemën se a është më mirë që deri sa të kthehet në Prishtinë, ta mashtrojë veten duke e mbajtur simbolin e rojes së shtëpisë, pra mbajtjen e fijeve të jetës të lidhura për traditën, apo një revolver të rrejshëm, për t’u mbrojtur nga e panjohura që është e barazvlefshme me atë që është e huaj, si ambient, si mënyrë jetese dhe si mendësi. (Frika fq.13) Vetmia është gjendje reale dhe psikike e rëndë që kërkon shpëtimin në klithmën :”dritaren lëre hapur”, e cila përsëritet rrafsh 24 herë në 36 vargjet e poezisë me të njëjtin titull! Poezia Dhoma ime në Ulqin, është një rikthim në ambientin e parë dhe në vlerat sublime të tij, ku rrezaton figura e nënës me përgjërimin dhe përkushtimin e përjetshëm.
Është evidente se në këto poezi kanë një denduri fjalët: dera, dritarja, muri, shkallët, kopshti, pasqyrat, që bëhen qendra kuptimore që e figurojnë më fort mallin për ambientin familjar. Kjo do të thotë se është shumë intensive prejardhja emocionale e disa imazheve.
Gjendje stresante e disekuilibra të ndryshëm socialë, politikë e shpirtërorë që ndodhin në ambientin që ka fytyrën e atdheut, Basri Çapriqi ka shqiptuar në vargjet e tij edhe në këtë vëllim poetik. Retorika bastarde e hipokrite për lirinë e atyre që : ma sjellin lirinë në pjatë dhe thikën në tryezë/ ma marrin frymën kur u pëlcet lëvozhga dhe qetësia/, është burim i dëshpërimit dhe i rezignatës. Çrregullimet morale dhe shoqërore, humbja e gjasave për ta gëzuar jetën, pendesa për krimin, vrujojnë nëpër vargjet e poezive: Striptiz në Prishtinë, Vullneti i popullit, Vasha nga Lindja prostitutë në Romë, Portret gjaksi të falur, etj. Fenomenet sociale dhe politike të dhjetëvjetëshit të fundit janë kontekstet tematike të këtyre poezive, mirëpo ato nuk janë përshkruar, nuk është dhënë ndonjë kronologji a faktografi e tyre, duke e evituar atë rrezik që e parasheh Adorno kur thotë se ai që pledon për artin si fakt, e shndërron artin dhe ideologjinë në një gjë të vetme. Pikat tragjike dhe absurde të këtyre fenomeneve sociale dhe politike janë vështruar të përthyera në shpirtin e subjekteve. Drama e gjaksit që i hiqet ndëshkimi moral për krimin e bërë, fillon tek detaji më i paparashikueshëm: atij për të dalur nga ngujimi, i duhen blerë këpucët, ndërsa ai nuk e di sa duhet të jetë numri i tyre! Distiku: një mijë vjet këpucë s’kishte mbathur/ sa s’plasi e tha: 1990 numri ta zëmë/ e krijon figurën e spirales tragjike të gjakmarrjes e të ngujimit dhe e kontekstualizon një pikë kohore që merr të shënojë mbylljen e asaj spiraleje tragjike. Figura e gjaksit merr përmasa mitikeç del nga humnera e mijëvjeçarit dhe e njëjtëson vitin e rifitimit të lirisë me numrin e këpucës. Është një prerje e fortë ndërmjet logjikës së ligjërimit të zakonshëm dhe logjikës së ligjërimit poetik, që i jep ngarkesë semantike dhe bukuri artistike kësaj poezie. Prostituta nga Lindja nuk është e detyruar të jetë anëtare e partisë së klientëve të saj dhe ky fakt përbën dallimin esencial ndërmjet lirisë dhe jolirisë. Vargjet: këtu qëndron dallimi esencial/ dhe pikë/ boona note/ fokusojnë epërsinë morale të saj dhe ironizimin që rezervon për të tjerët, që prapë ka të bëjë, në fakt, me një triumf të logjikës së ligjërimit poetik. Kjo është një prirje që i është afruar shndërrimit në parim krijues tek ky autor.
Basri Çapriqi e ruan shprehjen poetike nga intonimi triumfalist dhe nga retorika vulgare, duke iu përmbajtur asaj që ka thënë vetë për Shejmus Hinin: ” Nuk ka forcë destruktive që e shtyn shkrimtarin fisnik të fjalës humane të militarizojë gjuhën si mjetin kryesor të ekzistimit të veprës artistike”.
Fati i ndriçuesve shpirtërorë të njerëzimit e të kombit ka gjetur një aktualizim të ri në vëllimin Frutat bizare. Prometheu do të mbijetojë luftën me zotrat po do t’i dalë punë tjetër: Ai do të çmendet kur të vdesin zotrat/ do të flakë zjarrin nga njerëzit e ndezur/ ashtu i zgjidhur do të na lë në të zeza/ dhe fëmijët me faqe gacë të djegura/ Kush i lexon sot këto vargje dhe nuk i ringjallet pamja e trishtueshme e njerëzve të djegur e të gjymtuar në vorbullin e rebelimit iracional në Shqipërinë e ditëve tona? Poeti trupëzon idenë poetike se janë helmet e hershme, është e keqja brenda njeriut që i shkakton Prometheut atë përsëritshmëri të fatit ndërmjet shpëtimtarit e të ndëshkuarit. Në poezinë Virusi i tërbimit, të botuar më 1986 tek vëllimi Në fund të verës, janë edhe këto vargje: Prof. Dr. Rifat Frashëri/ bëri një zbulim mikrobiologjik/ në mbarim të shekullit të kaluar/ në fillim të këtij shekulli/ konstatoi se njerëzit dhe kafshët/ tërbohen nga i njëjti virus/ zbulim yni origjinal/. Një përplotësim i kontekstit për prejardhjen endemike të destruksionit, të iracionalitetit dhe të prirjes për vetëshkatërrim. Poezitë Lasgush Poradeci, Vdekja e poetit (Mirko Gashit), dhe Lindja e poetit (Ali Musajt) janë shqiptime të dhimbjes për moskuptimin dhe mosvlerësimin ndaj ndriçuesve shpirtërorë. Është një ndërlidhje, një konstantë e moskuptimit.
Si për ta shpalosur edhe më fort këtë absurd, këtu janë përfshirë edhe poezitë Punëtorët fizikë të komunales dhe Lëmi i argatëve, ku mjerimi social, moskuptimet dhe padrejtësitë sociale rrotullohen si dhëmbëzorë të çrregulluar dhe me rrezikshmëri të lartë për fatet e shoqërisë dhe të kombit.
Në vëllimin Frutat bizare Basri Çapriqi vazhdon të inkuadrojë në tekstin poetik një leksik dhe një sintagmatikë që vjen nga fusha e disiplina të ndryshme të realitetit të sotëm, të cilat nostalgjikëve të poezisë së pastër mund t’u duken të ashpra, trup i huaj në poezi. Nga kjo pikëpamje ai është një poet me prirje të fortë urbane. Bartjet e vargjeve në disa tekste poetike, që në planin sintaksor nganjëherë duken si proza poetike, e afirmon shumësinë e mundësive të leximit të tekstit, ballafaqimin dhe opozicionin e asociacioneve si dhe virtuozitetin shprehës të gjuhës poetike. Përsëritja e fjalëve, gjysmëvargjeve apo edhe vargjeve, inkuadrimi i fjalëve të urta në kontekste semantike ironizuese, krijon një shtresë të veçantë intonative e semantike, duke nuancuar ligjërimin e duke e rritur mundësinë e shpalosjes së kuptimeve poetike. Një ekzemplar i veçantë dhe antologjik i këtij fahu është poezia Sizifi.
Basri Çapriqi me këtë vëllim përfundimisht legjitimohet si kërkues i të vërtetave të përhershme të jetës kombëtare dhe si mjeshtër për kumtimin e tyre me një shprehje që e ka të mbrujtur në vete vërtetësinë artistike. Nganjëherë zbulimet e të vërtetave artistike të tij duken si të kishin qenë aty pranë syrit e mendjes sonë. Pikërisht ashtu siç thotë Lotman: “Në tekstin e mirë çdo gjë perceptohet si të jetë krijuar ad hoc”.
Prapa kësaj përshtypjeje që lë teksti tek lexuesi, mbetet gjithkahnaja e dramës kombëtare e njerëzore, puna e mundimshme për shqiptimin e saj dhe dilemat e përhershme të shkrimtarit. Për hir të tyre, gjithmonë ia vlen të shkohet më tej.