Poezia e Leonora Lokaj, ka fituar çmimin e parë në Festivalin e 39-të, “Takimet e Poeteshave Shqiptare”
Poezia e Leonora Lokajt, kohë më parë ka fituar çmimin e parë në Festivalin e 39-të, “Takimet e Poeteshave Shqiptare” të organizuar në qytetin e Vushtrrisë. Këtë gëzim Lokaj e ka ndarë me miqtë e saj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Autorja në “Facebook” e ka publikuar poezinë e saj fituese:
————————————————————————
Rri
Rri!
N’ daç me i trembë
ethet e mallshme për ty,
n’ daç me pasi më krasiten degët e andrrave
si më merr frymë plasa e shpirtit
kur ti je aty…
Rri!
N’ daç me ndie
si këndohet kanga e ikjes tande,
si m’ vrushkullon zani yt malit t’ shpirtit
e nema jeme n’ gur e n’ dru
copë e grimë si i ban retë e hinta
të qiellit tand t’ shkyem.
Rri!
N’ daç mi kqyrë
vullkanin e mallit
si shpërthen përulshëm
para hanës sy verbueme,
si degdisem,
si harlisem
para dashnisë tande
që m’asht vijëzue shtegut t’ ballit.
Rri!
N’ daç me pa
flamurin e dorëzimit ngritë mbi gërmadhat e shpirtit,
n’ daç me pa n’ mue,
prrojet si m’ rrjedhin qepallave
dhimtën që s’len me t’ harrue.
Rri!