Poezia e poetes Beqiraj botohet në “Pangolin Literary Review”
Është botuar në “Pangolin Literary Review” në Mauritani poema “Mjellma e liqenit” e poetes së njohur kosovare, Naime Beqiraj, e cila është përkthyer nga kolegu i saj, Fahredin Shehu.
“Pangolin Literary Review” është njëra nga revistat më prestigjiozet në Mauritani, shtetin e madh të Afrikës Perëndimore, e cila sjell për herë të parë një autore shqiptare në edicionin e saj të fundit.
Botimi i krijimtarisë së Beqirajt në “Pangolin Literary Review”, vjen pas botimit të poezisë se poetit tjetër nga Kosova, Fahredin Shehu.
Ky botim vjen pas botimit në Nju Jersey në revistën po ashtu prestigjioze letrare amerikane “The Year of the Poet te Inner Child Press” të krijimtarisë së Beqirajt, e cila kishte paralajmëruar se do të ketë edhe një sërë botimesh tjera në revista profesionale, antologji si dhe revistat online.
Poezitë e poetes Naime Beqiraj viteve të fundit janë përkthyer, publikuar dhe prezantuar në disa festivale dhe revista botërore si në: ShBA, Poloni, Bullgari, Itali, Maqedoni, Bosnje, Jordani, etj.
Poezia “Mjellma e liqenit” e shkruar në gegnishte pritet që bashkë me poezi të tjera të autores të prezantohet edhe në festivale e revista të tjera botërore të letërsisë.