Poezia e Shpuzës, me leksik të rrallë dhe të pasur
Libri më i ri me poezi i Rozafa Shpuzës, “Nana i qindiste kryq dimnat”, botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”, ka dalë nga shtypi dhe gjendet në librarinë “Dukagjini” dhe “Artini” në Prishtinë. Për librin një vlerësim ka dhënë drejtoresha e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Diana Jup Kastrati. Sipas saj, poezia e Rozafës futet në shkollën e quajtur “letërsi qytetare”, e cila, veçanërisht në Shkodër, njohu lulëzim në pjesën e parë të shekullit të kaluar me Migjenin sa në poezi, aq në prozë, si dhe me prozën e Koliqit. “Zinxhiri i këputur i kësaj shkolle gjeti fillin falë penës autentike të Rozafa Shpuzës. Poezia e saj, e ngjyer tërësisht në sfondin e qytetit të Shkodrës, ju thërret me të gjitha shqisat, ndjesitë e ruajtura nën lëkurë jo vetëm të brezit të saj. Ajo ngërthen ato të të gjithë qytetarëve që si ajo e jetuan intensivisht Shkodrën në çdo pulsim të saj. E ngjizur me një leksik sa të rrallë, aq edhe të pasur të së folmes qytetase, vargjet e kësaj poezie gëlojnë nga identiteti unik i këtij qyteti; përmbyten në bukuri rievokimesh të shtëpisë atësore të lagjes, të raporteve me veten e me të tjerët, me një mijë ndjesi që ripërtërihen sa herë e prek e po aq kur nuk e prek atë ajri. Sepse Shkodra vetëm mund të këndohet në vargje dashurore, sepse ajo është frymë, jo thjesht qytet”.
NINULLË FLAKËSH
(Ditën kur u dogj shpija e vjetër…)
Gjama erdh’ prej kulmit, siç vijnë ortekët
pa paralajmërime tellallësh.
Për me u sigurue që bulkthi ndër hatlla
t’mos e soste kangën e mbrame
flaka kapi shpinë përfyti.
Çuda e kalimtarëve u voshk prej inatit të blozës
teksa oxhakët shprazën ofshamat e odave
t’ildisuna me portrete fisnike paraardhësish.
Asht dimni i vjetit 2017…
frymët e dashnive u ngrinë si limonat e oborrit
me nji trumë shterpe në qoshk.
Kajher’ tymi përngjet me degërminë
që gjyshja kapte ndër tamtha me gjylpana bashline,
kajher’ tymi krijon mirazhe me trajta gogolësh
e më shndërron në personazhin e asaj përrallës
me prolog fatlum “na ishte njiherë”.
Jam nji tjegull e shpisë pa pullaz
e rrekem me ngjizë pazëllin e stërlashtë
sa legjenda prejkah im atë më pagëzoi.
DYER PA ÇILCA
Në shpinë tonë dyert ishin pa çilsa
e përdita kalamendej nga njena odë në tjetrën
e pandryshueshme
si lutjet që gjyshja këndonte nën za
teksa njehte nyjet e nji filispaje të sajueme si tespije.
Shtrojet e pecave ju përgjitnin rrugicave qorre
me destinacion të paracaktuam
e tanë rrugtimi jem ishte nji lojë shahu pa fitimtarë.
Tash që shpija e vjetër u zhba
si në epilogët e përrallave me gogolë
e ndiej përditën të shfaqet prej birave të çilsave
që kurrë s’u përdorën
krejt si në fokusin e nji aparati
që s’rreshtë së fotografuemi.
SEKRETET E GJYSHES
Gjyshja shtron gazeta mbi raftin me dru arre…
Si në ritet pagane
nuk bëzan
veç stivon lajme tue rikrijue nji histori
që kurrë s’diti me e rrëfye.
Jashtë bjen shi e përmallimi i kumonës
përcjell karvanin e të shumtëve n’parajsë.
Jam aty,
me stivën e gazetave ndër krahë
nën llambadarin kabah
që lëkundet prej sekretesh t’moçme.
Bash njatëherë,
kur gazetat i nënshtrohen gishtave t’mrrolun të
gjyshes
mbi to derdhen taborre hurmash farëzi
që rreken me fashitë absurditetin e titujve
të shkartisun ndërvedi si bubajka.
Tash që hurmi asht tha
e oborrit i kanë mbetë veç do lulebora mavi,
më duket se ndij rishtas zanin e gjyshes
që më porositë:
– Gazetat e lexueme i kalbin hurmat…