Poezia e Uran Krasniqit, e bukur për të qenë e ashpër
Halil Matoshi
Uran Krasniqin gazetar, e njoh dhe më ka rënë shorti të punoj me të te Koha ditore. Derisa e kam redaktuar shtojcën për Kulturë, me Uranin pata një bashkëpunim të mirë. Gazetar që shkruan për politikën, por që i pëlqen sporti (po aq sa Camusit, Pasolinit, Galeanos…) dhe padyshim poezia. Dhe vetë shkruan për pakënaqësitë dhe kontradiktat shoqërore, abuzimin me pushtetin dhe dhembjet e të mësuarit me liri.
Uran Krasniqin poet, e njoha ma vonë. Fjala e tij poetike, e bukur për të qenë e ashpër dhe po aq e befasishme, për të qenë shpatë. Shpatë goje. Për vargjet e tij, nisa të interesohem pasi e lexova poezinë Kartolinë urimi Peter Handkes. Në këtë poezi autori nuk mallkon por, nëpërmjet imazheve nga lufta e Kosovës, krijon panoramën e një kinse – urimi për nobelistin Handke, përmes së cilës i flet ndërgjegjes së botës. Pamje të vuajtjes njerëzore, të sublimuara te fëmija i masakruar me biberon në gojë, Valmir Deliu, ikonë e luftës së Kosovës.
Por, e përbashkëta e poezive tubë në këtë libër, është trishtimi, madje edhe kur autori shkruan për dashurinë, të cilën e realizon në shkrimin, si një univers paralel. Krasniqi, edhe nëse nuk i arrin majat poetike, ai po që është unik si për nga verbi poetik si për diskurs. Te poezia Mount Everest, p. sh., autori e di saktë se ideja e pushtimit të Majave më të larta bëhet me manifest estetik, si e vetmja mënyrë për ta mbijetuar – pra duke mos e provuar pushtimin e Everestit real.
Impresionuese poezia Turkesha përmes së cilës poeti arrin ta skicojë portretin e vajzës që nuk i shqitet nga mendja mu sikur historia e Mesjetës nga e cila nuk mund të dalin ballkanasit.
Urani është poet që shfaqet në dekadën e dytë të shekullit 21, porse përket në traditën poetike kosovare të viteve ’90 shekullit të kaluar, ndonëse me parashenja dalluese të individualitetit.
Në vazhdën e sensibilitetit të rezistencës estetike ndaj shtrëngesave dhe dhunës. Poezi fundësisht humane, që e pasuron mozaikun e letrave shqipe të epokës së lirisë. Uroj që poezia e tij ta gjejë udhën deri te lexuesi.