POEZIA QË E EVOKON TRADITËN DHE E SHPALOSË REALITETIN

22 janar 2023 | 21:44

Laureta Rexha, “Më përcjellë nga larg lutje besimtarësh”, Logos A, Shkup, 2022

Milazim KRASNIQI

Promovimi i një libri të ri zakonisht është një solemnitet, ku bëhen bashkë lexues e miq të autorit, me dashamirësi dhe disponim të mirë. Prandaj edhe ky promovim i librit të Laureta Rexhes është brenda kësaj kornize solemniteti, ku dashamirësia dhe disponimi i mirë janë dominues.
Përveç që është një standard në jetën letrare e kulturore, kjo praktikë e tubimeve, ku respektohen vlerat, është edhe me peshë të shënueshme shoqërore, sepse në kohën në të cilën jetojmë, ka tendenca që njeriu të mbyllet më vete, t’i duket vetja i vetëmjaftueshëm, të jetë përjashtues dhe ekskluzivist. Pra, nga ky aspekt, edhe këtë tubim tonin të sotëm në këtë aktivitet letrar, e shoh me vlerë të shumanshme, për çka merita ka autorja dhe organizatori.
Lidhur me librin e ri të poetes Laureta Rexha, “Më përcjellë nga larg lutje besimtarësh”, mendoj se e meriton promovimin dhe paraprakisht leximin, sepse është një libër që ofron mundësi për meditim, po edhe për diskutim mbi motivet, idetë, mesazhet dhe tërësinë e vlerave artistike.
Sado që në disa aspekte të motiveve dhe të ideve ky libër duket si një kapërcim nga libri i parë i Lauretës, “Në qiellin e parë”, në esencë ka një vazhdimësi, një ndërlidhje ndërmjet këtyre dy librave. Vazhdimësia vërehet në pasionin e autores për poezinë, sepse ajo poezinë e konsideron medium të fuqishëm për të shqiptuar idealet e veta dhe për të komunikuar me të tjerët. Ndërsa një shkallë diskontinuiteti ndërmjet dy librave vërehet në aspektin e konsolidimit të vargut, përdorimit të figurës poetike, me një fjalë thellimit të kërkimit në sekretet e botës poetike. Kjo na mundëson të supozojmë se Laureta Rexha, krahas talentit dhe pasionit, posedon edhe kulturë dhe dije letrare, të cilën e shfrytëzon për t’u profilizuar si poete me ambicie dhe potenciale të mëdha. Zakonisht, kur miksohen talenti, ambicia dhe dija, priten rezultate të vazhdueshme, gjë që në instancë të fundit varet edhe nga faktorë të tjerë siç janë faktorët kulturorë, socialë e shëndetësorë. Në momentin ku jemi, te libri i dytë i autores, mund të themi se ky miksim i talentit, pasionit dhe diturisë ka funksisonuar dhe urojmë që ai të fuqizohet edhe më shumë në të ardhmen, në librat e ardhshëm.
Vëllimi poetik “Më përcjellë nga larg lutje besimtarësh”, që nga titulli na sugjeron se poezia e tij, e ka kornizuar raportin emotiv dhe aktiv të autores me një kolektivitet, që profilizohet si i dedikuar besimit, mirësisë, njerëzisë. Subjekti poetik komunikon me atë kolektivitet, më saktë me lutjet e tij, duke u bërë pjesë e tij edhe nga distanca, nga largësia. Sipas këtij konceptimi poetik, besimi është paqe (selam) dhe mundësi që subjekti të jetë nën dashurinë e Krijuesit. Mbi këtë shtytje besimore, subjekti poetik pastaj kërkon shtigje si ta gjejë dhe ta përjetojë e të shpërblehet prej asaj dashurie të Krijuesit.
Fjala vjen, në poezinë “Sexhdja ime”, ky përjetim merr kuptim të thellë besimor e jetësor, duke përdorë edhe figurën e oksimoronit, e cila zakonisht shpërfaqë gjendje dramatike:
Sexhdja ime
shoqëruesja më e mirë,
përmes teje unë nuk u frikova të bie
dhe në rënie u ngrita
sepse aty e gjeta Krijuesin tim.
Pra, ngritja përmes rënies, shenjon suksesin, triumfin e njeriut që në atë kërkim të guximshëm arrin ta gjejë Krijuesin. Në këso rastesh nuk është fjala vetëm për vargje mbreslënëse, po edhe ide të guximshme, gjë që në poezinë e këtij libri është shumë prezente.
Me motivet e besimit fetar në poezinë e saj, Laureta Rexha ndërlidhet në mënyrë të çuditshme me traditën e poezisë shqipe, si pak autorë të tjerë të kohës sonë, në të cilën dominon më shumë fryma e hedonizmit, konsumerizmit dhe kotësidashjes, siç do të thoshte Mid’hat Frashëri. Në fakt, poezia shqipe, që nga fillesat e saj ka qenë e dominuar nga motivet dhe zelli fetar. Kujtoj me këtë rast poezitë e Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, Pjetër Zarishit, Hasan Zyko Kamberit, Naim Frashërit, Gjergj Fishtes e shumë të tjerëve. Tradita e poezisë me motive fetare në letërsinë tonë është dëshmi e frymës evropiane të kësaj letërsie, po edhe e përshpirtësisë së njeriut shqiptar, të cilin armiqtë kanë tentuar ta portretojnë si indiferent ndaj besimeve fetare, si të paaftë që të besojë Zotin dhe t’i respektojë Shpalljet e Shenjta.
Fatkeqësisht, realizmi socialist e pati shkatërruar atë traditë të letërsisë shqiptare, duke imponuar motive antifetare të tmerrshme, që në instancë të fundit kanë ndihmuar dehumanizimin e njeriut të asaj periudhe. Falë Zotit, komunizmi dhe realizimi socialist u shpërbënë dhe letërsia shqipe sërish ka filluar ta kultivojë edhe poezinë me motive fetare, ku autorëve të njohur si Iliran Zhupa e Ervin Hatibi, tashmë u bashkohet edhe Laureta Rexha.
Si antitezë e asaj paqeje që ofron besimi dhe kërkimi i harmonisë, na shfaqet dukuria e sfidave të identitetit personal, që në kohën tonë postmoderne është shndërruar në një nga problemet më të mëdha të njeriut. Poetja Laureta Rexha e ka trajtuar edhe këtë dukuri, si në vargjet e poezisë “Humbja e vetes”, ku fiksohen anonimiteti, mungesa e ndiesisë dhe tjetërsimi i individit:
Gjithçka që doja ishte e paemër
gjërat që s’i ndjeja më kërkonin hak
me ngulm e kërkoja unin tim të humbur,
një ditë e gjithë vetja ime kishte shkuar larg.
Me këto alternime motivesh e idesh, Laureta Rexha legjitimohet si poete që hulumton dhe ofron përgjigjet e veta për dramën e njerit të sotëm, që nga raporti i tij me Krijuesin e deri te raporti i njeriut me veten në krizën e tij të tjetërsimit.
Sa i përket informatës që transmetohet në varg, mund të thuhet se ajo është e dozuar, më të shumtën nuk është eksplicite, po kërkon angazhim që të deshifrohet. Kjo sigurisht është e lidhur edhe më botëvështrimin e autores, e cila udhëhiqet nga moraliteti dhe besimi në aftësinë absorbuese të informatës diskrete nga ana e marrësit të informatës. Në këtë sfond vërehet se edhe përzgjedhja e leksikut është e atillë që të prodhojë një intonacion sa më të butë, të mos shndërrohet në qendra të kuptimit më të ashpër, më eksplicit, po që e tërë shprehja poetike, i tërë vargu dhe më në fund e tërë poezia konkrete, të jenë konstituuese të mesazhit poetik. Poetja parapëlqen që me vargun e saj ta sugjerojë më shumë qetësinë, meditimin, lutjen, faljen, adhurimin ndaj Zotit, ndërsa këto të bëhen pa bujë, në butësinë e vargut. Më duket se ritmi dhe intonacioni i vargut poetik të këtij libri e bartë këtë prirje. Në kohën e zhurmës dhe të stresit, kjo lloj qetësie e komunikimit poetik na vjen si ngushëllim, si varkë shpëtimtare e komunikimit të butë, fisnikërues. Prandaj ia vlen që ky libër simpatik të lexohet e të përjetohet me tërësinë e vlerave që ka.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelonës i ka mjaftuar një gol i Pedrit në pjesën…