POEZIA QË KËRKON NJERIUN E PËRSOSUR

22 prill 2020 | 22:30

(Hydajet Hyseni, “Përrallat flasin në gjuhën time”, botoi Shoqata Kulturore “Pjetër Bogdani”, Biel/Bienne, maj 1991)

Ismet Rashiti

Të shkruash poezi për fëmijë nuk është aspak e lehtë. Jo kot thuhet se poetët për fëmijë së pari duhet të rikthehen në vitet fëminore që ta ndjejnë më së miri mënyrën e të menduarit dhe të sjelljet e fëmijëve në shoqëri. Fëmijët kanë një botë tjetër nga të rriturit, prandaj gjeneratat më të moshuara shpesh, e kanë vështirë ti kuptojnë nevojat shpirtërore të tyre. Poeti për fëmijë duhet të jetë i kompletuar me dije të gjithanshme. Duhet patjetër të njoh mirë gjuhën, historinë, filozofinë popullore, traditat dhe figurat mitologjike. Thënë më konkretisht poezia për fëmijë është si një fidane që e mbjell në pranverë, e kultivon, e rritë dhe në vjeshtë i merr të lashtat. Nëse tek poezia për të rritur, mbase edhe mund të tolerohet ndonjë gabim, te poezia për fëmijë, nuk tolerohet asgjë. Fëmija e lexon poezinë, e kupton dhe e merr ashtu siç shkruan. Poeti për fëmijë nuk guxon në asnjë mënyrë të jetë abstrakt dhe të përdorë aso figurash stilistike që nuk e tërheqin për lexim fëmijën. Njëri ndër krijuesit për fëmijë,që i përket një gjenerate të artë, padyshim është Hydajet Hyseni, patriot dhe udhëheqës i demonstratave të vitit 1981 për Kosovën Republikë. Krahas jetës së vështirë në ilegalitet dhe pastaj i dënuar politik me 15 vite burg, Hydajet Hyseni asnjëherë nuk pushoi së shkruari poezi dhe prozë me motive nga më të ndryshmet. Përkundër rrethanave të vështira në burg, Hydajet Hyseni gjente mundësi të shkruante vjersha për fëmijë, por edhe shkrime tjera artistike dhe politike të cilat fshehurazi ua dërgonte shokëve për botim.
Një tufë poezish, një poemë dhe një përrall për fëmijë të Hydajet Hysenit janë përmbledhur në librin me titull simbolik, “Përrallat flasin në gjuhën time”. Të gjitha këto i ka shkruar në Burgun Qendror (CZ) të Beogradit dhe i ka dërguar në familje për Shqipen, Kushtrimin, Yllin dhe të gjithë shokët të tyre, në fakt për të gjithë fëmijët shqiptarë.
Në poezitë për fëmijë, “Kur tregon gjyshja”, “Gjuetarçe”, “Mi Minoshi”, pastaj poema me titull kuptimplotë, “Leci mburraveci” dhe përralla “Mi burreci dhe bubrreci” të përcjella në fund me fjalët e panjohura, Hydajet Hyseni përcjellë mesazhe edukative, arsimore, patriotike dhe shumë humane e njerëzore për lexuesit e vegjël. Përmes vargut të tij, Hydajet Hyseni përpiqet të mbellë filizat e njeriut të mirë shqiptar : Trim në vendin dhe kohën e duhur, modest në jetë, i arsimuar dhe me shumë kulturë. Përmes gjuhës së tij poetike, Hydajet Hyseni përpiqet të ndërtoi njeriun e përsosur shqiptar që ecë me kohen dhe zhvillimet e teknologjisë bashkëkohore. Ai nuk i preferon njerëzit mendjemëdhenj, papunëtorët, gënjeshtarët, servilët. Në shumë raste përmend figurat mitologjike, heronjtë kombëtarë, skifterin, drangoin dhe kuçedrën me shtatë krerë.
Duke qenë i burgosur në çeli, Hydajet Hyseni përpiqet të gjejë figura sa më të përshtatshme të heronjve shqiptarë si Mic Sokoli, Bajram Curri, Azem Bejta që shembulli i tyre të jetë shkollë për fëmijët.
Këto poezi, Hydajet Hyseni i ka shkruar në fillim të viteve tetëdhjeta, por edhe sot e gjithë ditën janë të nevojshme për fëmijët dhe sigurisht mund të ndikojnë në formimin dhe edukimin e tyre të drejtë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeparlamentarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një shkrimi…