Pogba: Juventusi më ka munguar, dua ta çoj atje ku e meriton

13 korrik 2022 | 11:26

Pas zyrtarizimit ditën e djeshme, tashmë ka ardhur dhe konferenca për shtyp e prezantimit të Paul Pogba me skuadrën e Juventusit. Mesfushori i bardhezinjve është shprehur shumë i kënaqur me rikthimin, teksa ka falënderuar dhe tifozët për besimin që kanë shfaqur ndaj tij.

“E shoh që jeni të gjithë të lumtur, më ka marrë malli shumë. Më falni nëse e kam harruar pak italishten, përpiquni të mos jeni shumë të ashpër…”.

Çfarë efekti të jep rikthimi?
Jam shumë i lumtur që rikthehem në shtëpi, e patë sesi më pritën tifozët. Ishte më shumë se një ëndërr, jam shumë, shumë i lumtur.

Sa herë e kishit menduar?
Kur pashë tifozët që më shkruanin në rrjetet sociale kur isha në Angli, isha i lumtur, por isha i fokusuar tek Manchesteri, për të bërë mirë atje. Por kur kontrata ime po skadonte, mendova shumë herë të kthehesha dhe e bëra. Jam i lumtur dhe po ashtu edhe tifozët.

Sa presion ndjen?
Çfarë do të thotë presion? Bëj shaka… Nuk ndjej presion, thjesht kam besim se do të bëj mirë.

Sa ka ndikuar Allegri?
Kam folur gjithmonë me të edhe kur kam qenë në Manchester, kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë. Folëm menjëherë para se të kthehesha, kemi kaluar shumë vite të mira së bashku. Ishte koha e duhur, me personin e duhur.

Je penduar ndonjëherë për kalimin tek United?
Kurrë, unë jam i kënaqur me zgjedhjet që kam bërë. Jeta është kështu, ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç do ti, por unë jam rritur, kam mësuar shumë dhe jam bërë burrë. Nuk mendoj se kam gabuar. Sigurisht, nëse do të kisha fituar, ndoshta zgjedhjet do të kishin qenë ndryshe, por Zoti donte që të ishte kështu dhe jam i lumtur”.

Për çfarë të erdhi më keq që u largove gjashtë vjet më parë?
Ju gazetarët (qesh). Jo, mbi të gjithë tifozët. Jo se në Manchester nuk ishin, por e kam thënë gjithmonë, madje duke folur me Patrice Evra, se tifozët këtu në Itali janë ndryshe.

Çfarë ke më shumë se kur u largove?
E njoh veten më mirë, nuk jam më fëmijë. Kam mësuar shumë dhe mendoj se mund t’i ndihmoj shumë lojtarët e rinj. Në nivel teknik asgjë nuk ka ndryshuar, mund ta ndihmoj skuadrën siç kam bërë në të kaluarën.

Kishte ekipe të tjera të interesuara për ty?
Ka pasur, por është zemra ime që zgjodhi Juven. Isha mirë dikur dhe jam mirë tani, mezi pres të filloj, shpresoj të jem mirë në fushë, madje edhe më mirë se më parë.

Si mendon se ka ndryshuar Juve?
Vitin e kaluar skuadra nuk fitoi dhe as unë po ashtu, kështu që kemi synime të ngjashme. Të gjithë duhet të bëjmë më mirë se vitin e kaluar, shpresojmë të fitojmë së bashku.

Cilat ishin problemet në Manchester?
Së pari të luaja në pozicionin tim. Ndryshuam shumë trajnerë, shumë lojtarë… Plus kam pasur disa dëmtime, luaja dhe nuk luaja… nuk kisha gjithmonë ritëm. Kishte shumë gjëra: trajneri, shokët e skuadrës, pozicioni në fushë. Këto gjëra më kanë bllokuar pak, por tani është një tjetër Paul këtu. Këtu do të jem mirë fizikisht, do të luaj në vendin tim dhe do të bëj më mirë se në vitet e fundit.

Si ka ndryshuar Pogba?
Jam burrë, jam baba, pas stërvitjes do të duhet të luaj me fëmijët e mi, të pushoj, të ha makarona… Por jam gjithmonë i njëjti, i njëjti lojtar, i njëjti numër fanelle. Dua gjithmonë të fitoj, jam i uritur për fitore.

Sa i ka munguar Pogba Juventusit?
Nuk e di, nuk mund ta them. Mund të them vetëm se dua ta ndihmoj skuadrën të fitojë përsëri, në maksimumin e mundësive të mia. Dua të jap gjithçka për klubin, për shokët e mi dhe gjithashtu për veten time.

Çfarë mund të bësh me Di Marian?
Ai është një lojtar i klasit botëror, me përvojë të madhe. Pashë menjëherë se është një kampion, se dëshiron të fitojë dhe kjo mund të bëjë vetëm mirë. Jemi në të njëjtën gjatësi vale.

Keni folur për 10 me Dybalën?
Nuk folëm për numrin, thjesht i thashë se ndoshta do të kthehesha te Juve dhe e pyeta nëse donte të qëndronte edhe pak me mua…

Objektivi Champions?
Nuk është objektivi i këtij viti, edhe nëse është një ëndërr për të gjithë. Objektivi i parë është kampionati, të cilin nuk e fituam vitin e kaluar. Sigurisht, të fitosh Champions League do të ishte një ëndërr.

A mund t’i ndihmoni të rinjtë?
Këtu ka shumë talent, mendoj se mund të bëjmë gjëra të mëdha. Duhet mentaliteti i duhur, të jesh më i uritur se të tjerët. Basketboll kundër Allegrit? Në fillim isha i ri dhe doja të respektoja më të mëdhenjtë, të fitonin …Tani i thashë që nuk bëj më shaka.

Cili është pozicioni yt?
Këtu pashë që luhet shpesh me një mesfushë me tre lojtarë, për mua është e njëjta gjë majtas apo djathtas, aty ndihem mirë. Thjesht fakti që do të luaj, të hyj fushë, do të më bëjë të lumtur.

E ke ndjekur Juven vitet e fundit?
Gjithmonë e kam shikuar Juventusin, i cili ka mbetur klubi më i mirë në Itali. Ndërkohë, ka skuadra të tjera që janë forcuar, por ky është niveli i Serie A, është shumë e vështirë të fitosh kampionate. Tani duhet ta kthejmë Juven aty ku i takon.

Çfarë të tha Allegri kur të telefonoi?
Ishte një bisedë e shpejtë, më tha se donte që të kthehesha, se kishte nevojë për mua. Zemra ime, së bashku me fjalët e trajnerit, më bënë të marr këtë vendim.

Kur do të jesh i kënaqur me rikthimin tënd?
Kur të kem një trofe në duar, pasi nuk kam fituar asgjë prej dy vitesh.

Ke menduar se do të gjesh Mourinho-n tashmë në javën e tretë?
Mendoj për Romën, e cila është një ekip i madh. Nuk kam menduar për Mourinho-n, dua t’i fitoj të gjitha ndeshjet, nuk më intereson nëse do të jetë kundër Mourinho-s, Inzaghi-t apo dikujt tjetër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të martën mbrëma në veri të Mitrovicës, targave të disa…