Pogba kërkon largimin nga Unitedi
Fjalë të rënda dhe akuza serioze “fluturuan” mes Paul Pogba dhe trajnerit të Manchester United, një trashëgimi e trishtueshme e një raporti që tashmë duket se ka konsumuar edhe kapitullin e fundit.
Mesfushori kampion bote me Francën ndihet i burgosur në skuadrën nga “Old Trafford”, pasi kërkoi me ngulm transferimin te Barcelona, por nuk u kënaq nga drejtuesit dhe stafi teknik.
Në anën tjetër, Jose Mourinho ndihet disi i lodhur me kapriçot e lojtarit transalpin, duke shfaqur tensionimin e situatës edhe në stërvitje. Pas suksesit kundër Leicester Cityt, Paul Pogba preferoi të shtojë enigmat rreth vetes, duke deklaruar publikisht se nuk do të donte të zbulonte diçka më shumë prej frikës së gjobës.
Por, pikërisht pakënaqësitë e lojtarit ngjallën dhe reagimin e trajnerit portugez, që i kërkoi komunikim të drejtpërdrejtë dhe jo mediatik, në rast se dëshiron të largohet.
“Nëse do të flasësh me mua, bëje përmes agjentit tim”, ishin fjalët shpërthyese të Paul Pogba, ndaj një trajneri që ka treguar më parë se menaxhon yje edhe më të mëdhenj sesa francezi, raporton “tch”.
Kështu hapet sërish një spirale teorike për largimin nga “Old Trafford”. Merkatoja angleze është mbyllur, por ajo spanjolle e ka limitin më 31 gusht, ndaj Barça mund ta presë Pogbanë deri në fund të muajit. Francezi ka arritur më parë një akord 5-vjeçar me 20 milionë euro në sezon.