Pogba: Kisha menduar të lija futbollin, tani dua t’i hesht kritikët
Në sezonin e parë të përvojës së tij të dytë në Juventus, Paul Pogba u rrënua nga lëndimet. Ka pasur shumë kritika, për faktin se sa pak është parë në fushë dhe sa e lartë është paga e tij (8 milionë euro).
Në një intervistë për “Al Jazeera”, mesfushori francez u ndal tek kritikët: “Dua t’i bëj ata të marrin përsëri fjalët e tyre dhe të tregoj se nuk jam i dobët. Ata mund të flasin keq për mua, por unë kurrë nuk do të dorëzohem”.
Ish-lojtari i Manchester United ka përjetuar një moment të vështirë edhe në sferën private. Vitin e kaluar ai raportoi disa grabitje nga vëllai i tij Mathias dhe miq të tjerë.
Pogba flet për këtë me emocion dhe tregon gjithashtu se ka menduar të lërë futbollin: “Paratë ndryshojnë njerëzit dhe mund të shkatërrojnë një familje, mund të krijojnë një luftë. Ndonjëherë, kur isha vetëm, mendoja: ‘Nuk dua të kem më para, nuk dua të luaj më futboll’. Unë thjesht dua të jem si njeri normal, kështu që ata do të më duan për atë që jam, jo për famën, jo për paratë. Ndonjëherë është e vështirë”, ka shtuar Pogba.