Pogba mund të bëhet më i paguari në Man. United

17 gusht 2021 | 12:40

Starti perfekt në kampionat ka rritur entuziazmin te Manchester United për trofe kwtw sezon.

Misionin për të udhëhequr “djajtë e kuq” drejt suksesit e ka marrë norvegjezi Ole Gunnar Solskjaer, i cili tani beson se mund të bindë edhe francezin Paul Pogba të rinovojë kontratën e t’i bashkohet projektit të klubit.

Mesfushori u bë protagonist në ndeshjen ndaj Leeds United, duke asistuar në 4 nga 5 golat e shënuar, ndërsa blerjet e reja dhe përforcimi i ekipit, duket se i kanë rikthyer dëshirën për të zgjatur bashkëpunimin me Manchester United.

Në ditët e ardhshme pritet që drejtuesit e “djajve të kuq” të ulen me Minoa Raiolën që të negociojnë rinovimin, teksa mediat angleze zbulojnë se Pogba mund të bëhet futbollisti më i paguar në ekip, me rreth 400 mijë paundë në javë, nëse pranon të firmosë kontratën e re.

Ndërkohë Solskjaer u ka kërkuar drejtuesve të rinovojnë kontratat edhe me disa emra të tjerë që i sheh si mjaft të rëndësishëm për skuadrën, si mbrojtësit Harry Maguire e Luk Shaw, mesfushorin Bruno Fernandes dhe sulmuesin Marcus Rashford.

Tre të parët kanë tashmë kontratë afat-gjatë me Manchester United, por synimi është që nëpërmjet rinovimit, t’u përmirësohen edhe termat ekonomikë, ndërsa Rashford ka edhe dy vite kontratë, ndaj ‘djajtë e kuq” duan ta blindojnë për të paktën edhe 5 sezone të tjera./SS/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është tërhequr shorti për kampionatin e ri në Ligën e…