Pogba reagon për dënimin me 4 vite: Jam i tronditur, do e apeloj në KAS
Paul Pogba u dënua sot me katër vite pezullim për përdorim dopingu, duke mbyllur thuajse karrierën e tij. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ai ka bërë të qartë se do i drejtohet KAS për të gjetur drejtësinë.
“Unë jam informuar sot për vendimin e Gjykatës Kombëtare Antidoping dhe besoj se dënimi nuk është korrekt. Jam i trishtuar, i tronditur dhe zemërthyer që më është hequr gjithçka që kam ndërtuar në karrierën time futbollistike si profesionist.
Kur të jem i lirë nga kufizimet ligjore, historia e plotë do të bëhet më e qartë, por unë nuk kam marrë asnjëherë me ndërgjegje të plotë ndonjë suplement që thyen rregulloret anti-doping.
Si një sportist profesionist, unë nuk do të bëja asgjë për të përmirësuar performancat e mia duke përdorur substanca të palejuara dhe nuk kam treguar asnjëherë mungesë respekti apo nuk kam mashtruar kolegët sportistë apo mbështetësit e ndonjë prej skuadrave për të cilat kam luajtur apo kam qenë kundërshtar.
Si pasojë e vendimit që është bërë publik sot, unë do ta apeloj para Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv”, shkruan Pogba në postimin në rrjetet sociale.