Polemikat e rrepta dhe propaganda

08 mars 2023 | 08:31

Në këtë numër të revistës (1097, nr. 5) botohen disa polemika në frëngjishte. Në polemikën me titullin Përgjigja dhënë një horri, Konica lan hesapet me një farë z. Andre Lavali, redaktor në revistën Revue d’Orient. Ja se si e fillon polemikën Konica: “Kur e padit një njeri se është një paçavurë ose diç asisoji, atëherë mund të jepen dy përgjigje: Ja kështu do t’i lejohet një shaka­xhiut të parë që të na quajë të shitur, ndonëse të gjithë shqiptarët e dinë që ne kemi hequr dorë nga gjërat më të nevojshme në mënyrë që t’i shërbejmë një ideje, për t’iu përkushtuar një vepre ku ne humbasim shumë dhe s’kemi për të fituar asgjë”.

Pas këtyre fjalëve, nga mbrojtja, Konica në sulm: “E pra paska idiotë që nuk e ndiejnë frymën e revoltës krenare dhe liridashëse që e përshkon tërë revistën tonë. Nëse e kemi quajtur z. Lavalin ‘shërbëtor’, kemi vepruar ashtu ngaqë poshtërsia e qëndrimit të tij e arsyetonte dhe e lejonte këtë hipotezë. Mirëpo, sot, duke i lënë përanash hipotezat, dëshirojmë të qesim në shesh diçka më konkrete. Kështu do t’ia kllasim hundën e ngritur këtij zotëriu në pleh se ndoshta në të ardhmen s’do t’i fyejnë njerëzit e panjohur”. Pastaj Konica zbulon disa të dhëna që dëshmojnë se z. Laval kishte vjedhur para në “Zyrën Sanitare” të Konstantinopojës dhe kishte ikur nga policia para se ta arrestonin prandaj, nëse nuk kishte prova për t’i hedhur këto fakte, atëherë do të kuptohet se cili ishte ai.

Polemika tjetër në këtë numër e ka titullin Shërbëtori i pendës dhe kretenët, ndërsa nëntitulli i saj është: Përgjigje një note gjysmëzyrtare. Në këtë polemikë mbrohet propaganda liridashëse dhe kombëtare, me ç’rast autori kalon në kundërsulm duke i goditur synimet e propagandës armiqësore. Konica e fillon polemikën në këtë stil: “Në revistën La Revue d’Orient et Hongri, të 11 qershorit të v. 1897, qeveria e sovranit tonë fort të nderuar, Lartë­madhërisë së Tij, Hamidit, ka botuar një bërllok gjysmë zyrtar dhe kutërbues: Sulmin e armiqëve e reprodukon nga ky pasazh i huazuar nga revista e lartëpërmen­dur: ‘Na shkruajnë nga Konstandinopoja se qarqet zyrtare osmane nuk i kushtojnë kurrfarë vëmendje propagandës shqiptare, të cilën disa shkrimtarë dhe gazetarë, në të shumtën e rasteve jo-shqiptarë, ka kohë që po orvaten të organizojnë në Bukuresht, në Bruksel dhe në Italinë e Jugut. Përpjekjet e këtyre zotërinjëve do të mund të kishin jehonë pak a shume tek shqiptarët orthodoksë dhe katolikë, dmth. te pakica e popullatës shqiptare në Peran­dorinë Osmane, por sa iu përket shqiptarëve muslimanë — shumica e tyre — do të tregohen të pabindur ndaj ideve që mundohen t’u ngulisin në tru dhe padyshim, nuk do të pranojnë aq lehtë që të përkrahin një lëvizje të fry­mëzuar nga jashtë që do t’u duket në kundërshtim me interesat e tyre”.

Pas kësaj hyrjeje, pason pjesa tjetër ku thuhet se “shqiptarët muslimanë janë armiq të përbetuar jo vetëm të grekëve, po edhe të vllehëve dhe të sllavëve, të cilëve s’u besojnë aspak”. Me këtë rast sulmohen edhe “agjentët e të ashtuquajturëve komiteteve shqiptare që u shërbejnë interesave që nuk kanë të bëjnë fare me atdheun e tyre”. Natyrisht, pasi me atdhe autori i artikullit, me siguri nënkupton Turqinë, i njëjti autor vijon: “Prandaj ata e kanë mendjen aq të qetë dhe pa pasoja të zhvillojnë propagandën e tyre në botën e jashtme. Sikur të vinin në trevat shqiptare për të predikuar dhe propaguar haptazi teoritë që i shtrojnë në gazetat e tyre, bashkatdhetarët do t’u bënin të ditur të parët se ata nuk kanë asfarë të drejtë të bëhen zëdhënës të mbarë kombit”.

Pastaj sulmi sa vjen e bëhet gjithnjë më i paskrupullt: “Fundja, vetë ato të përkohshme për të cilat, fjala vjen, nuk do të mund të ndihmonin asnjë lëvizje në vënd, ngaqë shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk dinë as të shkruajnë dhe as të lexojnë shqip. Prandaj Albania dhe Shqipëria u drejtohen shqipta­rëve të shkolluar dhe të evropeizuar, si dhe disa shqiptarëve me shkollë që i dinë shkronjat latine. Ndërkaq për të tjerët, ato janë shkronja të vdekura. Shqiptarët e flasin gjuhën e tyre, por ata s’kanë haber se ajo mund të shkru­het. Kur dëshirojnë të shkruajnë ndonjë letër, shkruajnë ose në turqishte ose në greqishte, po kurrëjo në shqipe”. Dhe pasusi i fundit e qet në shesh ten­dencën antishqiptare tërësisht: “Shkrimtarët dhe gazetarët e Bukureshtit, të Brykselit dhe të Palla­gorios, le të vazhdojnë të botojnë të përkohshme në gjuhën shqipe: kështu u del punë ca axhaminjëve në disa shtypshkronja të vogla dhe një herë në muaj, një numër i zyrave të postës do të kenë punë me to. Por, sa për hapjen e telasheve, ose paraqitjen e ndonjë problemi për botën politike osmane, si na njofton korrespondenti ynë nga Kostantinopoja, as që mund të flitet. Zyrtarët e lartë turq zbaviten dhe qeshin me këtë lojë me të vërtetë të padjallzuar, të cilës dikush përpiqet t’u japë peshën me ngjyrimin kundër rendit”.

 

Marrë nga libri “Me Konicën në Evropë” të Abdullah Karjagdiut

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
David Lodge Në fillim, kur vdekja dukej e pamundur, sepse…