Policët në Deçan dalin me armë të gjata në punë
Të gjithë zyrtarët policorë në komunën e Deçanit në ndërrimet ditore në punë do të dalin me armë të gjata.
Ky vendim është marrë për shkak të rasteve të grabitjeve të armatosura në këtë komunë.
“Të dashur qytetarë të gjithë jeni në dijeni mbi shtimin e veprave penale ‘Grabitje me armë zjarri’ që ka përfshi pothuaj mbarë shtetin e Kosovës, në këtë çështje nuk është imun as rajoni i Pejës, ku pothuaj ç’do ditë po ndodhinë raste duke grabitur banka, institucione mikro-financiare biznese të mëdha, bastore, por edhe dyqane tjera. Raste të tilla kanë ndodhur edhe në zonën tonë të Deçanit. Nga data 04.02.2019, me qellim të ruajtjes së pasurisë shtetërorë dhe asaj private, kam marrë vendim që zyrtarët policorë në të gjitha ndërrimet ditore 24/7 të dalin në detyrë më armë të gjata”, është thënë në njoftimin e lëshuar për media nga komandanti i Stacionit Policor në Deçan, Nysret Xhurkaj.
Ai ka bërë me dije se ky vendim është marrë me qellim që qytetari të ndjehet më i sigurt për jetë dhe pasurinë personale.
“Ne do të jemi afër jush, për sigurinë tuaj, sepse qytetarët e vendit tim janë të shenjtë për mua, do të vazhdojë të na përcjell moto ‘Policia është populli – populli është policia’”, është thënë në njoftimin e lëshuar nga komandanti i Stacionit Policor në Deçan, Nysret Xhurkaj.
/Epoka e re/