Policët që luftuan terroristët në Bansjkë, akoma shteti nuk i ka dekoruar
Pjesëtarët e njësive elitare të policisë që zmbrapsën terroristët serbë në Banjskë nuk janë dekoruar akoma nga shteti për heroizmin e tyre. Dikush këtë po e lidhë me hakmarrje sepse ishin të njejtit që protestuan për kërkesa
Që nga orët e hershme të mëngjesit të 24 shtatorit, për 15 orë zyrtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës kishin qenë në aksion kundër grupit terrorist serb të udhëhequr nga krimineli, Milan Radojiçiq.
Ndonëse nuk janë ushtarë, ata u përballën me armë të rënda ushtarake, si zolla, mina, snajperë e predha të kalibrave të rëndë.
Por në fund dolën fitimtarë, gjallë dhe nuk lënduan civilë as nuk dëmtuan monumentet fetare në Banjskë. Por, mbi të gjitha mbrojtën sovranitetin.
Mirëpo, për këta zyrtarë nuk ka ndodhur diçka që ndodhë zakonisht në të tilla rastesh.
Ata nuk janë dekoruar për heroizmin e tyre.
I vetmi që është nderuar nga presidentja është rreshteri policor, Afrim Bunjaku, i pasi u vra në këtë aksion, u shpall hero nga shefja e shtetit.
Një dekorim për disa zyrtarë kishte ndodhur në fund të vitit të kaluar, por ata nuk ishin marrë pjesë në operacionin në Banjskë, derisa ishin vlerësuar në përgjithësi për angazhimin e tyre në veri.
Sipas një udhëzimi administrativ për medaljet, shpërblimet dhe mirënjohjet ekzistojnë tri lloje të dekorimeve për polic.
“Medalja për lëvdatë, stimulimi shtesë është 250 euro. Medalja për shërbim të dalluar, stimulimi shtesë është 300 euro, medalja për mburojë të policisë, stimulimi shtesë është 350 euro”
Në ndërkohë, televizioni ka pyetur Policinë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme se pse nuk janë shpërndarë dekorata për policët që zmbrapsën sulmin në Bansjkë, por asnjë prej këtyre institucioneve nuk kanë kthyer përgjigje.
Sipas ish-kryeshefit të Inspektoratit të Policisë, Valdet Hoxha mosdekorimi i këtyre policëve është turp dhe beson që është hakmarrje shkaku i protestës së tyre në nëntor.
“Mosdhënia e mirënjohjes për operatorët e njësisë speciale që morën pjesë në aksionin në Banjskë të cilët na bën të gjithëve krenar vërtetë është e papranueshme mos të them është edhe turp. Aksioni i njësive speciale e jehona e tij u dëgjua deri në Moskë”.
Pjesëtarët e Njësive Speciale protestuan dy herë ne fund të vitit 2023 me kërkesa për përmirësim të kushteve, përfshirë rritjen e vlerës së shtesave të rrezikshmërisë dhe rikategorizim të pozitave.