Polici dhe mësuesi që dyshohet se abuzuan me të miturën në Drenas, mbesin në paraburgim
Zyrtari policor V.V dhe mësimdhënësi Sh.Xh, të cilët dyshohen për keqpërdorim seksual të një vajze (A.G) nga Drenasi, do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim.
Gjykata e Apelit i ka konsideruar të pabazuara ankesat e avokatëve mbrojtës kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji për të pandehurit.
Përmes një njoftimi për media, Gjykata ka njoftuar se “në këtë mënyrë, mbetet në fuqi aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“I pandehuri V.V. po dyshohet nga ana e prokurorisë se ka kryer veprën penale ‘keqpërdorim seksual duke përdorur pozitën, autoritetin apo profesionin’ dhe veprën penale ‘ndërprerja e palejuar e shtatzënisë’. Ndërsa i pandehuri Sh.Xh. po dyshohet për veprën penale ‘keqpërdorim seksual duke përdorur pozitën, autoritetin apo profesionin’ dhe veprën penale ‘nxitje e akteve seksuale me premtimin e rrejshëm për martesë’”, është thënë në njoftimin e Gjykatës.
I dyshuari V.V, në cilësinë e hetuesit policor, dyshohet se kishte marrë përsipër të hetonte rastin e përdhunimit të vajzës, që atë kohë ishte e mitur, nga mësimdhënësi i saj, Sh. Xh.
Ndërkohë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka inicuar procedurë hetimore nën dyshimet për kallëzim të rremë ndaj vajzës së njëjtë, në lidhje me deklaratat e saj për abuzimin seksual nga mësimdhënësi i saj.
Në një komunikatë të lëshuar nga Prokuroria javë më parë është thënë se gjatë hetimeve të zhvilluara gjatë viteve 2017-2018 mbi dyshimet për keqpërdorim seksual ndaj atëbotë të miturës nga Drenasi, thuhet se “e dëmtuara A.G, ka mohuar deklaratën e dhënë fillimisht në Policinë e Kosovës, se ishte keqtrajtuar seksualisht nga profesori i saj Sh.Xh”.
Pavarësisht kësaj në atë njoftim në Prokurorisë nuk ishte bërë e ditur pse tash është nisur procedura hetimore për intervistën që thuhet se është zhvilluar në vitet 2017-2018.