Policia: 7 643 aksidente kanë ndodhur vitin e kaluar në rajonin e Prishtinës
Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate për medie, ka bërë më dije se gjatë vitit 2017 në rajonin e Prishtinës kanë ndodhur 7 643 aksidente trafiku, në të cilat kanë humbur jetën 35 persona si dhe janë lënduar 4 598 persona.
“Gjatë vitit 2017 në rajonin e Prishtinës kanë ndodhur 7 643 aksidente trafiku prej tyre, 31 aksidente trafiku me pasoja fatale-35 persona të vdekur, 2 346 aksidente trafiku me 4 598 persona të lënduar, si dhe 5 266 aksidente trafiku me dëme materiale”, është thënë në komunikatën e Policisë.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugorë, në mënyrë që të ndikojmë në uljen e numrit të aksidenteve dhe uljen e vdekjeve në komunikacionin rrugor.
“Andaj duke parë si shqetësues këtë numër të madh të aksidenteve të trafikut dhe veçanërisht numrin e madh të viktimave nga aksidentet fatale dhe të personave të lënduar, kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugorë, në mënyrë që bashkërisht të ndikojmë në uljen e numrit të ngjarjeve aksidentale, uljen e vdekshmërisë në komunikacionin rrugor, e rrjedhimisht ngritjen e shkallës së sigurisë në trafik”, është theksuar më tutje në komunikatën e Policisë së Kosovës.