Policia aksion në Zubin Potok, konfiskon naftë të kontrabanduar nga Serbia
Policia e Kosovës, ka njoftuar se në vazhdën e aktivitetit në luftën për parandalimin e kontrabandës, në fshatin Kovaçë në komunën e Zubin Potokut, kanë hasur në një kamion cisternë pa targa, i cili ka qenë i braktisur dhe i ngarkuar me një sasi të naftës së pa përpunuar.
Përmes një komunikate për media, shtohet se në të njëjtin lokacion është ndaluar edhe vetura Toyota me targa vendore, me vozitës të dyshuar me inicialet D.V.
“Policia Kufitare e Republikës së Kosovës, konkretisht Njësitë e Drejtorisë Rajonale “Veriu”, në vazhdën e aktivitetit në luftën për parandalimin e kontrabandës, me datën 12.05.2022, në fshatin Kovaçë komuna e Zubin Potokut, kanë hasur në një kamion cisternë pa targa, të braktisur, e ngarkuar me një sasi të naftës së pa përpunuar.
Gjithashtu, në të njëjtin lokacion është ndaluar edhe automjeti Toyota me targa vendore me vozitës të dyshuarin me iniciale (D.V.) i lindur më 1973 në një fshat të Zubin Potokut”, thuhet në komunikatë.
Përveç naftës së papërpunuar, PK-ja, ka vërejtur se në automjet kishte të ngarkuara pllaka të qeramikës dhe disa thasë ngjitës të pllakave, të cilat dyshohet se janë të kontrabanduara nga territori i Serbisë.
Po ashtu shtohet se, kamioni, automjeti dhe mallrat e dyshuara janë sekuestruar përderisa rastet dërgohen në procedurë të rregullt.
“Pas kontrollit të realizuar është vërejtur se në automjet kishte të ngarkuara pllaka të qeramikës dhe disa thasë ngjitës të pllakave të prodhuara në Serbi.
Nafta e pa përpunuar, qeramikat dhe ngjitësi i pllakave dyshohet se janë të kontrabanduara nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës. Për të gjitha veprimet është njoftuar Prokurori kompetent dhe me autorizim të tij janë inicuar restet për “Kontrabandim me mallra”.
Kamioni, automjeti dhe mallrat e dyshuara janë sekuestruar dhe janë derguar në terminal, përderisa rastet dërgohen në procedurë të rregullt”, shtohet në komunikatë.