Policia angazhon të gjitha njësitet policore për parandalimin e aksidenteve

08 qershor 2021 | 11:59

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, u ka shprehur ngushëllime të gjithë personave që kanë humbur familjarët e tyre në aksidente trafiku.

Mehmeti në një konferencë për medie ka thënë se në rritjen e aksidenteve në trafik ka ndikuar periudha pas mbylljes për shkak të pandemisë Covid-19, teksa ka bërë me dije se kjo rritje nuk po ndodh vetëm në Kosovë por edhe në vende tjera.

“E kemi një situatë të papranueshme dhe një situatë që është e keqe. Ka qenë një javë shumë e rëndë ku brenda një dite i kemi humbur katër anëtarët e një familje”.

“Pas një analize të Policisë së Kosovës t’i shohim shkaktarët dhe cilat janë arsyet që kemi një rritje të aksidenteve të trafikut teksa ka disa vjet që në Kosovë po përballemi me një fluks të madh të aksidenteve të trafikut e që po janë edhe shkaktare të humbjes se jetës së qytetarëve”.

“Studimet e bëra kanë treguar se periudha pas ‘lock down’ ka pasur rritje të numrit të aksidenteve jo vetëm në Kosovë por edhe në vendet tjera. Mirëpo periudha pas mbylljes ka ndikuar që ka edhe rritje të rasteve të dhunës, qofte të vrasjes, qoftë dhunimit. Vozitja agresive ka ndikuar në rritjen e aksidenteve”, ka thënë Mehmeti.

Më tutje, Mehmeti ka thënë se për të parandaluar aksidentet në dy operacione kanë angazhuar të gjitha njësitet e Policisë së Kosovës.

“Aktualisht Policia e Kosovës është me dy operacione aktive ku njëri operacion ka të bëjë me kyçjen e të gjitha mjeteve të motorizuara posaçërisht motoçikletave të cilat dhe gjatë javës së kaluar i kemi konfiskuar mbi 120 skuterë nëpër qytetet e Kosovës”, është shprehur Mehmeti.

Ndërsa drejtori i Divizionit të komunikacionit rrugor, nënkolonel Jeton Rexhepi, ka bërë me dije se aksidente fatale në vitin 2019 kanë qenë 31, ndërsa në këtë pjesë të vitit janë 42.

Sipas tij nga këto aksidente 37 persona kanë vdekur në vitin 2019, ndërsa 50 vetëm në këtë vit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në Telekom, Menduh…