Policia anulon tenderin për “Ndërtimin e Stacionit Policor Zubin Potok”, ku fituese ishte shpallur kompania e Ragip Mustafës
Policia e Kosovës ka anuluar tenderin për “Ndërtimin e Stacionit Policor Zubin Potok”, ku fituese ishte zgjedhur kompania e Ragip Mustafa. Ky tender, i ishte dhënë kompanisë së Ragip Mustafës, i cili është pronar edhe i kompanisë “Beni Dona Plast”, e cila ndër vite është kritikuar për helmime të ushtarëve dhe cilësinë e dobët të ushqimit që iu është servuar ushtarëve të Kosovës. Gazeta Insajderi javë më parë ka raportuar lidhur me tenderin 1.1 milionë euro, që Policia e Kosovës e ka shpërblyer kompaninë “Olti Trasing” Sh.P.K, e cila është në pronësinë e biznesmenit Ragip Mustafa, një person tradicionalisht i lidhur me LDK-në. Madje Ragip Mustafa, është pronar edhe i kompanisë “Beni Dona Plast”, e cila ndër vite u kritikua për Helmime të ushtarëve, cilësinë e ushqimit, të cilën e ofruan për institucione të ndryshme në vend.
Ky tender i nënshkruar nga Policia e Kosovës me 4 tetor në vlerë prej 1.1 milion euro që kishte për qëllim punët e ndërtimit të stacionit policor, një projekt i rëndësishëm për infrastrukturën e sigurisë në këtë pjesë të Kosovës, veçanërisht, duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të Zubin Potokut, një zonë në veri të Kosovës me sfida të ndjeshme të sigurisë.
Kompanitë fituese u zgjedhën “Beni Com” Sh.P.K. dhe “Olti Trasing” Sh.P.K.. Pas raportimit të mediave, Policia e Kosovës ka anuluar tenderin për “Ndërtimin e Stacionit Policor Zubin Potok”. Në dokument, thuhet se arsyeja e anulimit është një dispozitë në ligjin e Prokurimit. “Një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit”, thuhet në njoftim të Policisë së Kosovës.