Policia: Arbnora Dobra në mënyrë të rregullt ka kaluar në një shtet fqinjë
Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate për medie ka bërë me dije se është duke vazhduar kërkimi ndërkombëtar për vajzën 22-vjeçare, Arbnora Dobra, e cila është zhdukur javën kaluar.
Bazuar në të dhënat e deritanishme policia ka bërë me dije se Arbnora Dobra në mënyrë të rregullt ka kaluar në një shtet fqinjë.
“Vazhdon kërkimi ndërkombëtar për personin e zhdukur. Më datë 28.09.2018, në polici është raportuar rasti person i zhdukur, bëhet fjalë për personin A.D, femër 22-vjeçare shtetase e Republikës së Kosovës. Që nga dita e raportimit policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për gjetjen e viktimës. Bazuar në të dhënat e deritanishme, është konstatuar se personi në fjalë, në mënyrë të rregullt ka kaluar në një shtet fqinjë të Republikës së Kosovës, nga ku pala ka kontaktuar me familjarët e saj. Përveç familjarëve të viktimës me të cilët jemi në kontakt për zhvillimet rreth rastit, ne si polici zyrtarisht kemi njoftuar edhe institucionet e shtetit fqinjë dhe bashkërisht jemi duke punuar për identifikimin e vendndodhjes së viktimës si dhe sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin”, është thënë në komunikatën e Policisë së Kosovës.
/Epoka e re/