Operacioni “Masazha 2021”, arrestohen gjashtë persona dhe mbyllen 29 lokale
Policia e Kosovës ka zhvilluar operacionin “Masazha 2021”, ku si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar gjashtë persona.
Sipas policisë deri tek arrestimi i këtyre të dyshuarve ka ardhur pas inspektimit të 53 lokaleve, ku 29 prej tyre janë mbyllur.
“Policia e Kosovës (PK) në vazhdën e angazhimeve të saja aktive në parandalimin dhe luftimin e veprave kriminale, konkretisht Drejtoria për Hetimin e trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ),me qëllim të marrjes së masave proaktive dhe verifikimit të informatave në terren ka hartuar planin operativ për inspektimin e salloneve të masazheve, i cili është realizuar në bashkëpunim dhe mbështetje të inspektorëve komunal, inspektorëve të punës, zyrtarëve të ATK- se, inspektorëve të MINT-se dhe njësive tjera të profilizuar në kuadër te PK-së. Plani operativ ‘Masazha-2021’, i realizuar përgjatë këtij muaji në nivel vendi, ka rezultuar me arrestimin e gjashtë (6) personave të dyshuar mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale ‘Mundësim apo detyrim në prostitucion’, ‘Ofrim i lokaleve për prostitucion’ dhe ‘Bashkëkryerje”. Gjatë këtij operacioni policor, nën autorizimin e organeve të drejtësisë dhe në bashkëpunim me institucionet kompetente janë inspektuar pesëdhjetë e tri (53) lokale, prej tyre njëzë e nëntë (29) lokale janë mbyllur nga inspektorët komunal si dhe janë shqiptuar gjoba për mungesë të arkave fiskale, mungesa e dokumenteve të punës etj.”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas këtij njoftimi, nga zyrtarët policorë gjatë këtij operacioni janë legjitimuar 196 persona me shtetësi të ndryshme si, nga Shqipëria, Tajlanda, Italia, Greqia, Rumania, Serbia dhe Kosova, ku të gjithë shtetasit e huaj në mungesë të paraqitjes së lejes së punës dhe qëndrimit, sipas procedurave janë trajtuar nga Drejtoria për Migrim dhe Huaj si kompetencë e tyre lëndore.
“Personat e dyshuar me vendim të prokurorit kompetent janë dërguar në mbajtje për dyzet e tetë (48) orë. Policia e Kosovës gjithmonë do te jetë e angazhuar në parandalim të veprimtarive kriminale dhe në shërbim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë në Republikën e Kosovës”, ka njoftuar policia.