Policia arreston 11 persona, ja për çka dyshohen (foto)
Policia e Kosovës, në vazhdën e përpjekjeve për parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, ka realizuar një operacion policor në disa lokacione të ndryshme për veprat penale që ndërlidhen me trafikimin e armëve dhe kultivimin e bimëve narkotike.
Më 7 shtator, Policia e Kosovës, përkatësisht Divizioni Kundër Krimit të Organizuar, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, kanë zhvilluar hetime intensive, me qëllim të zbardhjes së veprimtarive kriminale të disa personave të dyshuar që kryenin veprat e lartcekura.
Si rezultat i veprimeve të marra është realizuar operacioni policor në rajonin e Mitrovicës së Jugut dhe në rajonin e Pejës, i cili ka rezultuar me shoqërimin në stacion policor të 11 personave të dyshuar.
Po ashtu njësitë policore në këto lokacione, kanë kryer kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse, pronë e të dyshuarve të përfshirë në raste, me qëllim të mbledhjes së provave për veprimtarinë kriminale të të dyshuarve, me ç’rast është gjetur një plantacion i bimëve narkotike në fushë të hapur (pyll).
Gjatë këtij operacioni policor në të dy rajonet në Pejë dhe në Mitrovicë të Jugut, janë sekuestruar provat materiale si: shtatë armë (2 Ak47, 5 revole), rreth 70 fishekë kalibër të ndryshëm, 92 bimë kanabis (marihuanë) me lartësi 1- 1.5 m, mbi 25 gramë kokainë, 5500 euro (para të gatshme), 6 telefona, si dhe dokumente relevante për rastin.
“Pas procedurave të intervistimit me urdhër të prokurorit kompetentë gjashtë prej tyre janë dërguar në mbajtje. Policia e Kosovës do të vazhdojë përkushtimin e saj në realizimin e detyrave për parandalimin dhe luftimin e krimit si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave kryes të veprave penale”, ka njoftuar Policia e Kosovës.