Policia arreston 13 persona të përfshirë në veprimtari kriminale
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për hetimin e krimit të organizuar e asistuar edhe nga njësitë e tjera policore, pas hetimeve disa mujore të realizuara fillimisht në vitin 2020, të cilat kanë vazhduar deri më 14 prill të vitit 2021, ka arrestuar 25 persona të dyshuar për veprimtari kriminale. Në kuadër të këtij operacioni policor të mërkurën janë arrestuar 13 persona.
Të njëjtit janë arrestuar mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprimtari kriminale të krimit të organizuar, përfshirë në vepra penale: “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.
Operacionet policore janë realizuar me urdhëresë të organeve të drejtësisë, e që kanë përfshirë disa lokacione, konkretisht Prishtinën, Gjilanin, Ferizajn dhe Mitrovicën e Jugut, ku gjatë kontrollit të disa shtëpive dhe objekteve përcjellëse në të dy operacionet, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar:
Tetë armë të gjata të llojeve të ndryshme,
Trembëdhjetë armë të vogla revole,
Dy karikatorë,
1 493 municion të kalibrave të ndryshëm,
Pjesë të ndryshme të armëve,
Pajisje për pastrimin e armëve,
Dy leje për armë,
Dy (vetura,
Një palë dylbi,
Njëzet e një telefona celularë,
Dy mijë euro dhe
Një fletore me shënime.
Nga njëzet e pesë (25) personat e arrestuar në të dy operacionet policore, vlen të potencohet se dymbëdhjetë (12) prej tyre janë arrestuar në vitin 2020, të cilët me vendim të prokurorëve kompetentë janë dërguar në mbajtje, përderisa në operacionin policor të realizuar të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit janë arrestuar trembëdhjetë (13) persona, prej tyre shtatë (7) persona me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, përderisa gjashtë (6) persona janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, parandalimit të veprimtarive kriminale dhe sjelljen para organeve të drejtësisë personat e dyshuar që bien në kundërshtim me ligjin.