Policia arreston dy persona të dyshuar për vjedhje të rëndë
Njësitet policore të stacionit qendra në Prishtinë, sot rreth orës 05:00, kanë realizuar një aksion policor, me ç’rast janë arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar, për të cilët dyshohet me bazë të jenë të përfshirë në një rast të vjedhjes së rëndë, që ka ndodhur po të njëjtën ditë rreth orës 02:00, në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë.
Rasti ka ndodhur, në një pompë derivatesh, ku tre personat e dyshuar, kishin arritur që nga rezervuari të marrin disa litra naftë.
Dy nga personat e dyshuar derisa po të tentonin të largoheshin nga vendi i ngjarjes, janë arrestuar nga ana e policisë, ndërsa njëri prej tyre (i njohur për policinë), ndodhet në arrati.
Gjithashtu nga ana e policisë është sekuestruar edhe një veturë (Golf II), e cila është dërguar për ekzaminim.
Pasi që u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, me rekomandimin e Prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes.