Policia arreston dy shtetas të huaj për falsifikim parash
Policia e Kosovës ka arrestuar dy shtetas të huaj, nën dyshimin për falsifikim të parave.
Përmes një njoftimi për media, Policia thotë se më 7 dhjetor ka pranuar informacione se dy persona të dyshuar, shtetas të huaj, kanë tentuar të mashtrojnë pronarët e dy këmbimoreve në Prishtinë, “duke tentuar të këmbejnë kartëmonedha të euros të dyshuara si të falsifikuara me kartëmonedha të dollarit amerikan”.
“Gjatë kontrollit që ju është bërë personave të dyshuar, është vërejtur se të njëjtit posedojnë kartëmonedha (valuta nga shtete të ndryshme) tjera e të cilat dyshohet se edhe ato janë të falsifikuara. Ka ekzistuar dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit kanë kryer veprën penale ‘Falsifikim i Parasë’ sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Dy të arrestuarve, të cilët janë dërguar në mbajtje u janë konfiskuar gjithsej 4910 euro, 2484 dollarë amerikanë dhe 440 lira turke.