
Policia arreston një person në Leposaviq i kërkuar për veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’
Policia e Kosovës ka njoftuar se të hënën ka arrestuar një person në Leposaviq i kërkuar për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Sipas PK-së ai është arrestuar për rastin që kishte ndodhur më 17.11.2024, kur në një lokal në Leposaviq, i dyshuari i arrestuar së bashku me tre persona tjerë kishin sulmuar viktimën, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Tre të dyshuarit ishin arrestuar në ditën kur kishte ndodhur rasti, ndërsa i dyshuari i katërt kishte qenë në arrati.
“Arrestimi i të dyshuarit është bërë pas pranimit të informatës se i njëjti ndodhej në një lokal në Leshak të Leposaviqit, ndaj të cilit gjithashtu ishte lëshuar Urdhërarresti nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në lidhje me rastin e lartcekur. Gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur nëntë qese najloni me substancë të dyshuar narkotike.I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa në lidhje me substancën narkotike Drejtoria për Hetimin e Trafikut të Narkotikëve – Mitrovicë Veri ka iniciuar rastin “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Policia rajonale Mitrovicë Veri ka falënderuar qytetarët për bashkëpunim.