![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/09/policia-2.jpg)
Policia arreston një person të dyshuar për kontrabandim të barnave
Policia e Kosovës, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të veprave të kundërligjshme dhe kontrabandës në pikat kufitare, ka intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren.
“Me datën 5 shtator rreth orës 19:40 është pranuar një informacion se nga fshati Debëlldeh-Viti janë duke lëvizur disa automjete të dyshuara, në mesin e tyre njëra dyshohej se kishte të ngarkuar mallra të kontrabanduara të sjella nga Maqedonia Veriore përmes rrugëve ilegale, në ndërkohë që dy automjete të tjera kanë bërë përcjelljen e saj”.
“Pas pranimit të kësaj informate njësitë operative nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare- Lindje, kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operativo-taktike me ç’rast janë realizuar prita dhe kontrolle në rrugët e brezit kufitar dhe në rrugët dytësore të fshatrave të Vitisë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Policia ka njoftuar se si rezultat i veprimeve të marra, njësitë policore kanë arritur që ta ndalojnë automjetin e dyshuar me targa vendore me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar, me ç’rast gjatë kontrollimit janë gjetur një sasi e konsiderueshme e barnave të llojeve të ndryshme (24 lloje të barnave si: Daleron, Xanax, Sintrom 4, Kalcium Karbonat, Dilakor 0.25mg, Andoll 100 mg, Promolut Nor 5mg, Helex 0.25 mg etj.) të cilat janë sjellë në mënyrë ilegale nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës.
“Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori kompetent i cili ka urdhëruar që personi i dyshuar të ndalohet për 48 orë, ndërsa malli i kontrabanduar të dërgohet në terminalin doganor. Rasti i kompletuar i dërgohet njësive kompetente për trajtim të mëtutjeshëm”, është bërë me dije në njoftimin e Policisë së Kosovës.