Policia arreston personin për vrasjen që ndodhi vitin e kaluar në Mitrovicë
Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin A.B., 30-vjeçar, i cili ishte në kërkim për bashkëkryerje në veprën penale “Vrasje e rëndë”, që kishte ndodhur më 10 korrik 2021 në Mitrovicën jugore.
Sipas njoftimit të policisë, 30-vjeçari i dyshuar ishte shpallur kohë më parë në kërkim policor, ndërsa është arrestuar të mërkurën në Vushtrri.
“I dyshuari kohë më parë, është shpallur në kërkim policor si i dyshuar për bashkëkryerje në veprën penale ‘Vrasje e rëndë’, e ndodhur më datën 10 korrik 2021, në rrugën ‘Evlia Qelebia’ në Mitrovicën e Jugut, ku si pasojë e plagëve të marra nga arma zjarrit ka vdekur viktima D. S., i moshës 49-vjeçar, ndërsa i plagosur kishte mbetur edhe një person tjetër”, ka njoftuar policia.
Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit të rastit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.