Policia arreston pesë persona në veri për sulm, kontrabandë dhe posedim të narkotikëve
Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona dhe është në kërkim të një personi tjetër, pas sulmit që u është bërë zyrtarëve policorë në Zveçan, teksa kanë qenë duke e luftuar kontrabandën, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani.
Duke folur për “Radion Evropa e Lirë”, ai ka thënë se në orët e hershme të së premtes, policia ka tentuar ta ndalë një kamion me mallra kontrabanduese, kur kanë nisur të shtënat e grupit, të cilave policia u është përgjigjur njëjtë.
“Nuk ka të plagosur, policia i ka arrestuar pesë persona dhe është në kërkim të një personi tjetër”, ka thënë Elshani.
Ndërkohë, ky informacion është përhapur në rrjetin social “Telegram” dhe është interpretuar që Policia e Kosovës “ka qëlluar me armë serbët në Kosovë, dhe i ka kidnapuar pesë prej tyre”.
“Kamioni në të cilin kanë qenë serbët është shoshitur plotësisht, nuk ka informacione nëse dikush është plagosur”, është thënë në njoftimin e bërë nga kanali “Rebelimi është stil jete”.
Ky dhe kanale tjera në gjuhën serbe, janë aktive prej rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, në fund të muajit maj.
Atë periudhë serbët lokalë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – komuna me shumicë serbe – i kanë kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë, ndonëse ata vetë i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit.
Në një kanal tjetër në gjuhën serbe, të quajtur “Patriotizam”, në “Telegram” është përmendur se serbët dyshohet se kanë tentuar të dërgojnë furnizime në veri të Kosovës përmes rrugëve alternative, dhe kanë pyetur nëse transportimi i “produkteve ushqimore bazike është arsye për të shtëna, apo që dikush të goditet”.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës i ka thënë se tri makina dhe një kamion janë konfiskuar, dhe se përveç kontrabandës, ka gjetur edhe lëndë narkotike.
Rasti është duke u iniciuar si sulm ndaj zyrtarëve policorë, kontrabandë me mallra, dhe posedim i narkotikëve.
Kjo nuk është hera e parë që Policia e Kosovës ka konfiskuar mallra kontrabandauese, lëndë narkotike dhe armë në pjesën veriore.
Të hënën, më 7 gusht, në Mitrovicë të Veriut është gjetur një laborator droge, në të cilin ka pasur pajisje për mihje të kriptovalutave.