Policia arreston të dyshuarin për mashtrim, ishte në kërkim nga viti i kaluar
Më 4 prill, pas një pune hetimore dhe operative dhe pranimit të informatës se i dyshuari mashkull, i cili ishte në kërkim, gjendet në një lokal në Prishtinë, Njësia për Hetime Rajonale në Prishtinë, në bashkëpunim me Njësinë ‘FAST ILECU’, ka bërë arrestimin e të dyshuarit. M.K.(1986) për veprën penale “Mashtrim”.
“Më datën 17.06.2021, në NJHP në Prishtinë është raportuar rasti ‘Mashtrim’, ku i dyshuari me inicialet M.K., me qëllim të përfitimit material në mënyrë të kundërligjshme për vete apo personat e tjerë, përmes mjeteve të informimit, portaleve dhe rrjeteve sociale, ka kërkuar mjete financiare nga qytetarët për shërim. Ai pas kërkesës që ka bërë, ka pranuar mjete financiare në llogarinë e tij bankare”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Me këtë rast policia, pas një pune hetimore ka konstatuar se i dyshuari kërkesën në fjalë e ka bërë rrejshëm dhe menjëherë i ka njoftuar qytetarët për veprën e kundërligjshme.
Policia në koordinim me prokurorin e shtetit personin në fjalë, e ka shpallur në kërkim policor.
Pas verifikimit në sistemin e të dhënave rezulton se i dyshuari ka dy urdhërarreste aktive dhe në koordinim me prokurorin i dyshuari dërgohet në vuajtje të dënimit.