Policia arreston tetë të dyshuar pë rrahjen e djalit të Nenad Rashiqit
Policia ka arrestuar tetë persona të dyshuar për rrahjen e djalit të politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiq, e cila ka ndodhur sot rreth mesditës në Llapnasellë.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili ka thënë se viktima e kësaj rrahje ka marr trajtim mjekësor.
“Sot rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën për një rrahje në progres në afërsi të shkollës në Llapnasellë, ku kanë qenë të përfshirë disa persona. Me të marrë informatën njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka thënë Borovci.
Ai tha se bazuar në informacionet e para dyshohet se një person mashkull , ka pësuar lëndime dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor.
“Lidhur me këtë rast policia ka shoqëruar në stacion policor 8 persona të dyshuar (prej tyre një i mitur). Aktualisht po vazhdon puna për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen”, tha Borovci.
Nikolla Rashiq, djali i Nenad Rashiqit, është rrahur nga rreth 30 persona në fshatin Llapnasellë të Graçanicës derisa po dilte nga shkolla.
Ai ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në kokë, ku sipas babait të tij i janë thyer dhëmbët.
Rasti është raportuar edhe në Policinë e Kosovës dhe deri më tani ende nuk ka të arrestuar. Kështu ka deklaruar babai i viktimës, Nenad Rashiq.