Policia arreston tre të dyshuar për veprat penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’
Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Prizren, në fillim të qershorit të këtij viti, ka pranuar informatën lidhur me dyshimet për përfshirjen e disa të dyshuarve në veprimtari penale.
“Pas fazës së hetimit fillestar hetuesit policorë kanë siguruar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prizren për zbatim të masave të fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit. Gjatë zbatimit të masave dhe veprimeve hetimore janë siguruar dëshmi të mjaftueshme se të dyshuarit janë të përfshirë në kryerjen e dy veprave penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’”, është thënë në njoftimin e policisë
“Të dyshuarit në periudha të ndryshme kohore, duke filluar nga viti 2014, dyshohet se kanë përfituar duke ofruar fajde në shumën prej 33 500 (tridhjetë e tre mijë e pesëqind) euro ndaj tre ankuesve dhe nga fajdeja kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme njëzet mijë (20 000) euro dhe 8.8 ari tokë me vlerë rreth 80 000 (tetëdhjetë mijë) euro. Mbi bazën e këtyre dyshimeve, më 17.10.2019 është zbatuar urdhëresa e Gjykatës Themelore Prizren për urdhër-kontroll, ku janë kontrolluar tri shtëpi dhe dy lokale përcjellëse, pronë e tre të dyshuarve”, është theksuar në njoftimin e policisë.
Gjatë kontrollit në cilësi të dëshmive janë gjetur dhe janë sekuestruar: gjashtëmbëdhjetë dokumente/kontrata mbi shitblerjen e pronave dhe automjeteve; tre mijë e tetëqind e pesëdhjetë (3850) euro; dhe një telefon mobil.
Me aktvendim të prokurorit, i dyshuari i parë është ndaluar për 48 orë, ndërsa po vazhdohet me hetime për të grumbulluar dëshmi relevante edhe për dy të dyshuarit e tjerë.
/Epoka e re/