Policia bën thirrje për kujdes të shtuar gjatë ngasjes në rrugë
Policia e Kosovës (PK) ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë ngasjes në rrugë me ngrica.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, bazuar në situatën e tanishme ku përveç vërshimeve që janë prezentë në disa vendbanime dhe në rrugë, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, parashikohet të ketë mot të ftohët në vendin tonë. “Policia e Kosovës apelon për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike, me gjendjen e rrugëve dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugët me ngrica”, ka njoftuar policia.
Në një njoftim për media Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar për parashikimin e motit për dy ditët e ardhshme, 15 dhe 16 janar.
Sipas IHK-së, masat e ftohta të ajrit të ardhura nga pjesa veriore e kontinentit do të jenë të qëndrueshme edhe gjatë ditëve vijuese. “Në fushat barike kemi rënie ashtu si dhe në ato termike. Kjo situatë e krijuar dhe e parashikuar meteorologjike do të kushtëzojë mot të vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat herë-herë do të shoqërohen me fjolla bore (kryesisht ditën e shtune). Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -9 deri -4 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet -3 deri 0 gradë celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit me shpejtësi 1-6m/s”, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
(Q.R / Epoka e re)