Policia britanike zbulon burimin e helmimeve me Noviçok
Autoritetet britanike kanë gjetur burimin e agjentit nervor, Noviçok, që ka helmuar dy persona ditë më parë në jug të Anglisë.
Njëra nga viktimat, 44 vjeçarja, Dawn Sturgess, ka vdekur në spital të dielën, pasi i është ekspozuar agjentit.
I dashuri i saj, 45 vjeçari, Charlie Rowley, ka qenë në gjendje kritike, derisa tani zyrtarët kanë thënë se ai është në gjendje më stabile.
Policia e Londrës ka thënë të premten se një shishe e vogël është gjetur gjatë kërkimeve, në shtëpinë e Rowleyt, dhe pasi është testuar nga shkencëtarët është konfirmuar se substanca ka qenë Noviçok.
Policia është ende duke bërë kërkime se prej nga ardhur shishja dhe si ka arritur në shtëpinë e Rowleyt.
Testimet tjera do të synojnë të zbulojnë nëse nga mostra e njëjtë janë helmuar edhe ish-agjenti rus, Sergei Skripal dhe vajza e tij, Yulia në muajin mars në Sallsbëri të Britanisë.