Policia deklarohet për gjuajtjen me armë në Mramor: Një veturë e dyshimtë nuk u ndalua, rrezikoi policët
Sot rreth orës 17:30 është raportuar për gjuajtje me armë zjarri në fshatin Mramor të komunës së Prishtinës.
Lajmin për Gazeta Blic e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, derisa ka thënë se Policia ka identifikuar një veturë të dyshuar e cila përkundër sinjalizimit të policisë për t’u ndalur.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç‘rast ka identifikuar një veturë të dyshuar e cila përkundër sinjalizimit të policisë për t’u ndalur në pikë kontrolli e njëjta ka refuzuar duke vozitur me shpejtësi të madhe dhe duke manovruar rrezikshëm, kësisoj duke vënë para rrezikut të drejtpërdrejtë zyrtarët policorë”, ka thënë ai.
Borovci ka shtuar se “duke parë rrethanat e ngjarjes policia me shpejtësi ka organizuar edhe një tjetër pikë kontrolli me qëllim ndalimin e veturës së dyshuar porse vetura sërish nuk është ndaluar dhe me manovrime të rrezikshme ka bërë përpjekje të qëllimshme për të goditur zyrtarët policor”.
Sipas tij, zyrtarët policor janë detyruar të përdorin armën e zjarrit, për të shmangur rrezikun e menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë për jetën.
“Aktualisht vetura e dyshuar nuk është ndaluar si dhe personat e dyshuar tani për tani janë në arrati. Policia me përkushtim po vijon punën e saj për identifikimin e të dyshuarve të përfshirë në këtë rast si dhe lokalizimin e vendndodhjes së tyre. Siguria e oficerëve dhe qytetarëve tanë mbetet prioriteti ynë më i lartë. I bëjmë thirrje kujtdo që ka informacion në lidhje me personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast të kontaktojë menjëherë policinë”, ka thënë Agron Borovci.