Policia demanton lajmin për bastisje në Gorë!
Dragash – Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren i ka përgënjeshtruar pretendimet e një portali, i cili kishte shkruar sot se, gjoja janë bastisur zyrat e partisë së deputetit Adem Hoxha – JGP, nga strukturat serbe të sigurisë. “Duke u bazuar në raportet dhe informatat që i posedojmë nga ajo zonë, nuk ka asgjë të vërtetë që ndërlidhet me ketë rast.
Policia e Kosovës mbetet e angazhuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike për të gjithë qytetarët e vendit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kujtojmë se sot, një portal ka raportuar se anëtarët e partisë së Adem Hoxhës janë bastisur sërish dhe janë marrë në pyetje nga shërbimet e sigurisë serbe. “Në komunën e Dragashit, menjëherë pas fillimit të vitit të ri, në fshatin Vraniç, shërbimet e sigurimit të Serbisë kryen një bastisje në komunën paralele të Gorës.
Kjo bastisje u bë për shkak të dyshimit për keqpërdorim të fondeve. Gjatë bastisjes janë sekuestruar të gjitha dokumentacionet. Të punësuarit në komunën paralele Gora janë urdhëruar që të japin deklarata për aktivitetet e tyre në 5 vitet e fundit në Beogrd. Shërbimet serbe në komunën paralele kanë gjetur: Selman Osmanin, Neim Sahtiarin, Edmir Misinin dhe Enes Sherifin, që të gjithë zyrtarë të lartë të JGP-së së Adem Hoxhës”, shkruan mes tjerash ky portal.
Redaksia “Radio Sharri” ka kontaktuar me deputetin Adem Hoxha, i cili i ka kundërshtuar këto pohime, duke i quajtur si lajme të fabrikuara. Njëjtë ka pohuar edhe Selman Osmani, i cili ka thënë për redaksinë tonë se lajme të tilla duket se janë të porositura dhe kanë për qëllim destabilizimin e regjionit të Gorës, rajon ky që, sipas tij, vazhdon të mbetet si më i qeti në Kosovë, ashtu siç është edhe komuna e Dragashit./radio-Sharri/