Policia dhe KFOR-i ia hoqën panot me logo të UÇK-së dhe NATO-s të riut nga Deçani
Kastriot Hulaj, një qytetar nga Deçani, ka treguar se Policia e Kosovës dhe KFOR-i ia kanë hequr panot që thotë se ishin pronë e tij, në të cilat ishin logoja e UÇK-së dhe e NATO-s si dhe flamuri i Shqipërisë.
Sipas tij, rasti ka ndodhur të hënën dhe shtoi se panot kanë qenë të vendosura tash e disa muaj.
Por, shprehet se të njëjtat janë larguar në ditën kur ai kishte vendosur logon e UÇK-së.
Duke u ankuar për këtë veprim, ai thotë se ka ndodhur pa arsye dhe me masa të rrepta.
Hulaj, mes të tjerash, ka paralajmëruar se këtë rast do ta iniciojë në organet kompetente.
“Pa asnjë arsyetim e me masa të rrepta të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it Italian dhe pa asnjë dokument apo vendim për rrënim, pasditen e sotme më janë rrënuar panot të cilat ishin pronë e imja. Çudia e gjithë kësaj pune është se pse u desht të rrënohen bash sot, kur në të i vendosa këto tri shkronja UÇK sepse panot ishin aty tash e disa muaj”, shkroi ai në Facebook.
“Me këtë rast unë do të inicioj si rast dhe sigurisht do të merret prokuroria dhe gjykata! Gjithsesi, qytetarë të Deçanit e ju ish-ushtarë të vërtetë të UÇK-së mos u mërzitni sepse ditëve në vijim do ta mbushim gjithandej Deçanin po më këto shkronja e po më këtë logo”.