Policia dhe prokuroria diskutojnë për forcim të bashkëpunimit
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi, ka mbajtur kolegjiumin e rregullt me të gjithë kryeprokurorët e prokurorive të vendit, përfaqësues të prokurorive dhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Ambasadës së ShBA-së në Kosovë.
Në këtë takim me ftesë të Kelmendit, kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, respektivisht zëvendësdrejtor i policisë, Fehmi Hoti dhe drejtori i Divizionit të Hetimeve të Krimit, Fatos Makolli.
Gjatë këtij takimi është diskutuar lidhur me koordinimin dhe bashkëpunimin në ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta në mes Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës.
“Nga të pranishmit u vlerësua pozitivisht niveli i deritanishëm i bashkëpunimit dhe ndërveprimit institucional, si dhe u potencua se ky bashkëpunim duhet avancohet tutje, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit të hetimin e veprave penale”, është thënë në njoftimin e policisë.
Në fund të takimit të pranishmit janë pajtuar që të ketë takime të rregullta në mes të krerëve të dy institucioneve Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës.