Policia dhe prokuroria nisin hetimet për kërcënimin që ka paraqitur Kurti
Drejtoria Hetimin e Krimeve të Rënda e Policisë së Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Kosovës kanë nisur hetimet ndaj kërcënimeve që janë bërë nga një grup i ashtuquajtur “Garda Vullnetare Shqiptare”, ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës. “Policia e Kosovës, në këtë Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda është duke e trajtuar si rast, dhe është në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informacioneve. Të gjitha veprimet janë duke u ndërmarr në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale”, ka bërë me dije policia për “Klan Kosovën”.
Mbrëmë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka publikuar një komunikatë nëpërmjet së cilës ishte kërcënuar. Kurti e ka lidhur këtë komunikatë me punën që është duke e bërë Kushtetuesja që brenda këtij muaji pritet që të interpretojë dekretin e bërë nga presidenti Hashim Thaçi.