Policia dhe Prokuroria: Valbona nuk kishte kërkuar mbrojtje
Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Gjakovës janë deklaruar të premten për rastin e vrasjes që ka ndodhur në fshatin Brekoc të Gjakovës, ku burri ka vrarë gruan dhe vajzën e tij.
Në një konferencë të jashtëzakonshme të mbajtur në Prishtinë, Policia e Kosovës ka sqaruar se viktima e kishte lajmëruar rastin, por nuk kishte pranuar mbrojtje apo strehim.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale në Gjakovë, Ahmet Hasi ka bërë me dije se më 7 gusht viktima ishte paraqitur në polici rreth orës 15:30 ku kishte treguar për mesazhet kërcënuese nga tashmë i dyshuari, burri i saj.
Ndërsa prokurori Armend Zenelaj nga Prokuroria e Gjakovës, ka thënë se tashmë i dyshuar është dërguar në spitalin Rajonal në Gjakovë e më pas në QKUK.
Mbrëmjen e 7 gushtit, Pjetër Nrecaj me armë zjarri ka vrarë gruan e tij, Valbonën dhe të bijën 9-vjeçare.