Policia e Bosnjës ndalon dhjetëra migrantë
Policia kufitare e Bosnjës ndaloi dhjetëra migrantë që bënë përpjekje të kalojnë në Kroaci – vend anëtar i Bashkimit Evropian.
Ngjarja në veriperëndim të Bosnjës ndodhi në kohën e rritjes së numrit të migrantëve nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia që kërkojnë strehim në Evropën perëndimore.
Rreth 100 migrantë janë nisur nga qyteti Vellika Klladusha, ku qindra sish janë duke qëndruar në kampe të improvizuara, për në vendkalimin kufitar Malevac, por policia i ka bllokuar rrugës.
Shumica e tyre kanë protestuar duke u ulur në rrugë, derisa policia ka bërë përpjekje t’i bindë që të kthehen prapa.
Peter Van der Auweraert, zyrtar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim, postoi një video në Twitter, e cila tregon bllokadën, dhe shkroi se veprimi i policisë është “një zhvillim shumë shqetësues”, i cili rrezikon të nxisë reagim të ashpër.
Emina Buzinkiq, aktiviste kroate e migrimit, i tha Radios Evropa e Lirë se disa migrantë kanë arritur të kalojnë kufirin, porse policia kroate ka refuzuar të pranojë kërkesat e tyre për azil.