Policia e Durrësit parandaloi një ngjarje kriminale
Policia e Durrësit ka parandaluar një tragjedi ditën e djeshme ku një person është futur në një lokal me në armë tip kallashnikov të fshehur poshtë xhupit.
Fatmirësisht ai është ndaluar në kohë nga forcat e policisë, duke shmangur ndonjë tragjedi të mundshme.
“Policia e Durrësit parandaloi një ngjarje të mundshme kriminale. Marrja në kohë e informacionit dhe reagimi i menjëhershëm i Policisë vë në pranga një 33-vjeçar, i cili hyri me armë zjarri në një lokal. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit kallashnikov, me 2 karikatorë me municion luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë marrë informacion se në lagjen nr. 13, në Durrës, një shtetas mbante të fshehur poshtë xhupit një armë zjarri kallashnikov dhe po futej në ambientet e një restoranti”.
“Menjëherë u organizua puna nga shërbimet e Policisë, të cilët falë reagimit në kohë dhe profesionalizmit bënë të mundur kapjen e personit, pa shkaktuar pasoja, si dhe sekuestrimin e armës së zjarrit. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: B., 33 vjeç, banues në Kavajë, me precedent penal në fushën e narkotikëve dhe dhunës në familje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale ‘Armëmbajtja pa leje’”, ka njoftuar policia. /Top Channel/