Policia e Hamburgut: Dy shqiptarë kanë vdekur, një i lënduar rëndë
Në mëngjesin e së hënës në një kantier ndërtimi në Hafer City në Hamburg të Gjermanisë ka ndodhur një tragjike ku kanë vdekur katër persona dhe njëri është lënduar rëndë.
Mediat gjermane raportuan gjatë së martes se tre nga viktimat ishin shqiptarë.
Klankosova.tv ka kontaktuar me policinë e Hamburgut për të marrë informacione lidhur me ngjarjen e rëndë.
Në përgjigje huhet se dy nga të vdekurit janë shtetas shqiptarë, e po ashtu edhe njëri nga të lënduarit rëndë i cili është i shtrirë në spitalin e Hamburgut.
“Jemi duke pritur identifikimin e dy personave të tjerë që vdiqën në këtë aksident. Nuk mund t’ju jap ndonjë informacion të mëtejshëm për momentin”, tha zëdhënësi i policisë Soren Simbal.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur trishtimin e tij lidhur me lajmin nga Gjermania ku raportohet se kanë humbur jetën në një kantier ndërtimi katër shqiptarë.
Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se po lutet që familjet e viktimave ta gjejnë durimin dhe forcën për t’u përballur me këtë tragjedi.
“Lajm i trishtë nga Gjermania ku raportohet se kanë humbur jetën në një kantier ndërtimi katër shqiptarë. Lutemi që familjet e tyre ta gjejnë durimin dhe forcën për t’u përballur me këtë tragjedi”, ka shkruar Haradinaj.