Policia e ka përgjuar Vuçiqin dhe familjen e tij
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka zbuluar se ai ishte përgjuar për një vit e gjysmë nga policia serbe.
Në një intervistë për “Kurir”, ai ka thënë se e dinte se kush qëndron pas saj dhe se besonte se autoritetet kompetente do ta hetonin këtë.
“Kurir” ka shkruar se përveç kreut të shtetit, ekzistonte edhe një listë e plotë e personave që ishin duke u përgjuar.
“Bisedat dhe punët e familjes së presidentit të Serbisë, vëllait të tij, Andrej Vuçiq dhe djalit të madh, Danilo Vuçiq. Po ashtu, edhe drejtori i BIA-së, Bratislav Gashiq, Milosh Vuçeviq…”, ka shkruar ky medium serb.
Në një intervistë për “Kurir”-in, Vuçiqi ka konfirmuar se ai është përgjuar. Konfirmimi për këtë veprim është bërë nga ministri i Brendshëm, Aleksandër Vulin.
Mediet kanë raportuar se një hetim i gjerë dhe i hollësishëm tashmë ka filluar dhe se kanë nisur shkarkimet e krerëve të institucioneve të sigurisë.