Policia e konfirmon pas pesë muajsh – Zyrtarët që hetuan korrupsionin e qeverisë Kurti, drejt largimit nëpër njësi tjera
Pesë muaj pasi Nacionale raportoi për largimin e pesë hetuesve nga Njësia e Veçantë Hetimore e Policisë së Kosovës, kjo e fundit e ka konfirmuar edhe zyrtarisht. Si rezultat, pesë hetues të cilët kryesisht kanë hetuar korrupsionin e nivelit të lartë ku janë të përfshirë zyrtarët e pushtetit, tashmë janë në pritje të largimit nëpër Njësi të tjera. Nacionale sjell hulumtimin e radhës për temën, që e kishte çuar në raportim në Kuvend edhe drejtorin e Policisë.
Fjalën ofenduese ‘ndërsej’ e cila kryesisht përdoret për qen, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte përdorur kur kishte folur për hetuesit e Njësisë së Veçantë Hetimore brenda Policisë së Kosovës. “Prokuroritë në Kosovë i ndëresjnë policinë hetimore”, kishte thënë Kurti në RTK. Por, kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës, po del se nuk ishte ndikimi i vetëm mbi Njësinë brenda Policisë së Kosovës e cila e heton korrupsionin.
Nacionale para pesë muajsh kishte publikuar hulumtimin ekskluziv, ku ishin publikuar të dhëna se pesë hetues të kësaj Njësie, janë në një listë të largimit nga Njësia e Veçantë Hetimore. Çuditërisht apo jo, këta pesë hetues, ishin kryesisht udhëheqës të ekipeve apo mbikëqyrës, që kishin hetuar e zbuluar aferat më të njohura të korrupsionit ku ishin të përfshirë zyrtarët e lartë të qeverisë Kurti.
Pavarësisht se drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, e kishte mohuar se ka një listë të largimit, një gjë e tillë tash po konfirmohet zyrtarisht nga Policia e Kosovës. Burimet i kanë thënë gazetës Nacionale se edhe pas pesë muajsh, këta pesë hetues mbeten pa një vendim zyrtar se ku ta vazhdojnë punën. Sinjalizuesit e afërt me krejt këto zhvillime, kanë bërë të ditur se në sistemin elektronik “Prims”, emrat e këtyre hetuesve nuk figurojnë si pjesë e Njësisë së Veçantë Hetimore.
“Janë pa asnjë vendim. Në sistemin elektronik nuk iu figurojnë emrat, as nuk iu shfaqet asnjë mbikëqyrës. Raportimi i mediave për largimin e tyre ua ka prishur pak planet, dhe duket se e kanë shtyrë si vendim përfundimtar, megjithatë ata 5 hetues zyrtarisht nuk është se janë pjesë e kësaj njësie”, kanë thënë burimet e afërta në kushte anonimiteti. Të njëjtat, nuk kanë dashur të shprehen publikisht, për shkak të frikës.
Informacionet e Nacionales i ka konfirmuar tash edhe Policia e Kosovës. Kjo e fundit ka thënë se për gradën rreshter, të cilën e kanë këta 5 hetues, është mbushur numri brenda Njësisë. Çuditërisht apo jo, hetuesit që kanë mbetur jashtë këtij numri, dalin të jenë ata që kanë trajtuar rastet e Martin Berishajt, Nagip Krasniqit, rezervën shtetërore e tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë.
“Njësia e Veçantë e Hetimeve është në proces të kompletimit sipas Strukturës së re Organizative të Policisë së Kosovës e cila ka hyrë në fuqi më 2023 ( e cila do të rishikohet së shpejti) si dhe Listës së Personelit të Autorizuar për punonjësit e Policisë së Kosovës sipas Strukturës së re të organizimit. Siç parashihet me strukturë personeli në NJVH për zyrtarë me gradë nga rreshter e lartë është e kompletuar, ndërsa pesë zyrtaret e potencuar janë me gradë rreshter dhe një toger, e që janë në pritje të ri sistemimit”,thuhet në përgjigjen e Policisë për Nacionale.
Në fakt, përgjigja e Policisë del në kontradiktë me deklaratën e drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. Drejtori në raportimin e tij në Komisionin për Siguri që ishte mbledhur pas publikimit të hulumtimit në Nacionale, kishte thënë se tre persona janë tepricë. Tash, dolën se janë 5 siç kishte raportuar Nacionale.
“Nuk ka listë të largimit të njerëzve, janë disa pozicione me pa si duhet me u sistemu. Janë 3 persona tepër në këtë njësi. Nuk përkojnë me nivelin e gradave në këtë departament”, kishte thënë drejtori i Policisë së Kosovës.
Burimet më tutje, kanë bërë të ditur për Nacionalen se këta hetues nuk lejohet të trajtojnë rastet e profileve më të larta të cilat po hetohen nga Njësia e Veçantë Hetimore. Policia këtë e ka arsyetuar me faktin se ndarja e rasteve, bëhet sipas planifikimeve të brendshme.
“Të gjithë hetuesit pa përjashtim angazhohen në hetimin e rasteve të profilit të lartë nga stafi komandues i NJVH-së në koordinim me stafin tjetër udhëheqës sipas ngarkesës me raste të hetuesve, prioriteteve të hetimit të caktuar nga prokuroret kompetent dhe NJVH angazhohet që secili rast hetimor të procedohet sipas kërkesave/autorizimeve të prokuroreve. Të gjitha veprimet hetimore realizohen në dinamiken e kërkuar dhe me standardin më të lartë profesional dhe mbrojtje të plotë të integritetit hetimor, në asnjë rrethanë asnjë nga hetuesit nuk privilegjohet a po diskriminohet me rastin e angazhimit në raste hetimore”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Nacionalen.
Sinjalizues të ndryshëm, kanë bërë të ditur për gazetën se Policia e Kosovës pak ditë më parë, kishte shpallur konkurs për hetues në Njësinë e Veçantë Hetimore e cila merret me korrupsionin. Përderisa, pesë hetuesit e tjerë me gradën rreshter, do të shpërndahen në Njësitet e tjera. Pavarësisht se Policia këtë e ka arsyetuar me një ristrukturim, largimi i personave që kanë hetuar rastet më të njohura korruptive të qeverisë, ishte vlerësuar e dyshimtë edhe nga kryetari i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha.
“Lidhur me zyrtaret policorë që parashihen sipas strukturës Njësia e Hetimeve të Veçanta ka mungesë për disa (nëntë) zyrtarë policorë, andaj është hapur konkurs i brendshëm për zyrtarë policorë”, kanë thënë nga Policia, duke theksuar se kanë numër të madh të rasteve në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Nacionale para pesë muajsh kishte publikuar me iniciale të gjithë hetuesit që pritet të largohen, e të dërgohen nëpër njësitet e tjera.
Korruptimi i luftës kundër korrupsionit
Kur qeverisja e kryesuar nga Avdullah Hoti e kishte shuar Task-Forcën e cila sot funksionon si Njësi e Veçantë Hetimore, Lëvizja Vetëvendosje, kishte ftuar seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës. Aso kohe, sa ishte në opozitë, Vetëvendosja kishte akuzuar LDK-në se e ka shuar Task-Forcën, me qëllimin që të mos hetohen aferat korruptive.
Pak kohë pasi erdhën në pushtet, udhëheqësi i Njësisë që Lufton korrupsionin, ishte shkarkuar nga drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. Ky shkarkim, siç kishte raportuar Betimi për Drejtësi, kishte ardhur pas një takimi që Haziri e kishte pasur me ministrin Sveçla. Sipas burimeve të Betimit për Drejtësi, Sveçla kishte kërkuar llogari nga Shemsi Haziri për hetimet ndaj Martin Berishajt. Disa kohë më pas, Shemsi Haziri u shkarkua.
Megjithatë, lufta e pushtetit me këtë Njësi që merret me hetimin e korrupsionit, nuk është ndalur. Tash, duke u marrë me hetues të cilët etiketohen si të “Regjimit të Vjetër”. Për pasojë, pesë prej tyre, pritet që punën ta vazhdojnë nëpër Njësitet e tjera.
Për Institutin e Kosovës për Drejtësi, organizatë e cila ka trajtuar hulumtime për funksionimin e kësaj njësie, lufta e pushtetit me këtë njësi, kishte nisur kur i kanë larguar shtesat për hetues. Më pas me largimin e shefit Shemsi Haziri, dhe së fundmi edhe me largimin e hetuesve.
“Veprimet pasuese të politikës ndaj Task Forcës padyshim se cenojnë integritetin e hetimeve dhe lehtësisht mund të shihe si tendencë e politikës për të bërë presion ndaj secilit që ka guximin profesional dhe personal për të luftuar korrupsionin në Kosovë. Mjafton të lexohen raportet vendore dhe ndërkombëtare lidhur me task-forcën për të kuptuar ndikimin politik të partisë në pushtet për dobësuar apo kontrolluar këtë Task-forcë”, ka thënë Ehat Miftaraj, drejtor i IKD-së për Nacionalen.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, kanë mohuar se ka pasur ndikime politike në largimin e drejtorit Shemsi Haziri, dhe lëvizjet e tjera të hetuesve.
Pas largimit të Shemsi Hazirit, në pozitën e drejtorit u emërua Besim Berisha, njeriu që më parë ishte larguar nga e njëjta Njësi. Berisha, jozyrtarisht ka raporte të afërta me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla. I njëjti vjen nga një fshat në Podujevë, fqinj me atë të Sveçlës. Me ardhjen në krye të Besim Berishës, prokurorët më pas kishin tërhequr të gjitha lëndët që ishin në trajtim.
Nacionale ka siguruar edhe dokumente e dëshmi të tjera që ndërlidhen me këto lëvizje të hetuesve, megjithatë të njëtat nuk do të publikohen me kërkesë të sinjalizuesve.
Raportimi i konfirmuar i Nacionales
Gazeta Nacionale para pesë muajsh, kishte sjellur emrat (me iniciale) të secilit hetues që tash është në pritje për t’ua caktuar njësinë. Për secilin, Nacionale kishte treguar edhe rastet që kanë hetuar, e të cilat janë të ndërlidhura me zyrtarët e lartë të pushtetit. Të gjithë këta hetues, kishin pasur funksione udhëhëheqëse. Megjithatë, pas ndryshimit të hierarkisë, dhe ardhjes në krye të Besim Berishës, nëpër të gjitha pozitat udhëheqëe kanë ardhur njerëz të afërt me shefin Besim Berisha.
Gazeta Nacionale ka mësuar se ekipa hetuese me numër 6 brenda njësisë e cila ka qenë duke trajtuar rastin e rezervave shtetërore, rastin e Faruk Mujkës si dhe një pjesë të rastit në KEK, është shuar totalisht. Hetuesit e saj janë dërguar nëpër ekipe të tjera, kurse udhëheqësi i njësisë, rreshteri I.Gështë në listën e largimit përfundimtar nga Njësia. Pra, kjo njësi e cila ka trajtuar afera të rëndësishme të korrupsionit, tash më nuk funksionon, përderisa të gjithë hetuesit janë shpërndarë.
Hetuesi rreshter me inicialet E.I që ka qenë dhe është duke e hetuar ambasadorin Martin Berishaj, është propozuar në listën e largimit përfundimtar nga Njësia e Veçantë Hetimore e Policisë së Kosovës. I njëjti, deri më tash, kishte grumbulluar prova e dëshmi lidhur me përfshirjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në shpërlarje të parave. I njëjti, tash nuk është i përfshirë në asnjë prej hetimeve të reja të profilit të lartë të cilat bëhen brenda Njësisë së Veçantë Hetimore.
Hetuesja rreshtere me inicialet A.A që ka qenë dhe është duke hetuar një kontratë të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, është në listën e propozuar të largimit përfundimtar nga Njësia. Kontrata përfshinte dyshime për korrupsion në dhënien e një kontrate për një kompani private.
Hetuesi rreshter me inicialet H.T ka qenë dhe është duke hetuar kontratën me të cilës iu dha në shfrytëzim një tokë kompanisë Kosmonte Foods. Edhe ky rreshter është propozuar në listën e largimit nga kjo njësi. Për këtë kompani kishte raportuar edhe gazeta Nacionale. E njëjta kishte qenë përkrahëse e qeverisë Kurti, dhe të njëjtës i është dhënë një tokë në shfrytzim për vite të tëra. Hetimi i kësaj kontrate, sipas burimeve, i ka kushtuar me para-përjashtim këtij hetuesi.
Shefi i ekipit, togeri me inicialet Z.K që është duke hetuar zv/ministrin Hysen Durmishi për rrugën Prishtinë-Podujevë, është në listën e propozuar për largim përfundimtar. Deri në largim, Nacionale ka mësuar se ai është emëruar rreshter, një gradë më të ulët. Tenderi për rrugën Prishtinë-Podujevë është konstatuar se ka pasur shkelje të mëdha edhe nga shoqëria civile.